Shtetet e Bashkuara po testojnë hapur nivelin e përputhjes së aleatëve të NATO-s me politikat e administratës së Donald Trump, ndërsa Uashingtoni po shqyrton mundësinë e shkurtimit të pranisë së tij ushtarake në Europë.
Sipas një dokumenti të dërguar vendeve anëtare të NATO-s dhe të parë nga Bloomberg, administrata amerikane u ka kërkuar aleatëve të përgjigjen në një seri pyetjesh që lidhen jo vetëm me shpenzimet e mbrojtjes, por edhe me qëndrimet e tyre politike ndaj Uashingtonit.
Një nga pyetjet kryesore është nëse vendet anëtare kanë mbështetur publikisht politikat e SHBA-së. Washingtoni kërkon gjithashtu të dijë nëse aleatët kanë vendosur kufizime për përdorimin e bazave të tyre ushtarake nga trupat amerikane dhe nëse po blejnë armë e pajisje nga kompanitë amerikane të mbrojtjes.
Pyetësori shkon edhe më tej. SHBA-ja kërkon të vlerësojë nëse aleatët janë treguar në përputhje me qasjen amerikane të përshkruar si “e fortë, e qartë dhe e qetë”, një formulim i përdorur nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Për disa vende europiane, kjo nismë shihet si një mënyrë për të ushtruar presion politik. Shqetësimi është se garancitë e sigurisë amerikane mund të lidhen gjithnjë e më shumë me shkallën e mbështetjes ndaj politikave të administratës Trump.
Nëse kjo qasje do të shndërrohej në politikë të qëndrueshme, ajo mund të ndryshonte ndjeshëm mënyrën se si është funksionuar aleanca transatlantike për dekada.
Në qendër të vëmendjes janë edhe paratë. Uashingtoni kërkon që aleatët europianë të rrisin shpenzimet për mbrojtjen dhe të marrin përsipër më shumë nga kapacitetet që deri tani janë mbuluar nga ushtria amerikane. Por SHBA-ja kërkon njëkohësisht që një pjesë e këtyre fondeve të shkojë drejt industrisë amerikane të mbrojtjes.
Dokumenti pyet gjithashtu nëse vendet anëtare kanë kundërshtuar publikisht politikat europiane “Made in Europe”, që favorizojnë kompanitë e kontinentit në kontratat e mbrojtjes. Madje, pyetësori kërkon të dijë nëse vendet do të ishin të gatshme të kundërshtonin publikisht këto politika.
Nisma vjen në një moment delikat për praninë ushtarake amerikane në Europë. Uashingtoni po zhvillon një rishikim gjashtëmujor të dislokimit të forcave të tij në kontinent, proces që pritet të përfundojë deri në dhjetor.
Në kuadër të këtij procesi, SHBA-ja ka njoftuar tashmë tërheqjen e rreth 5 mijë trupave nga Gjermania, ndërsa po shqyrton edhe zhvendosjen e njësive të tjera pa zëvendësim.
Por shqetësimi më i madh lidhet me asetet strategjike. Rishikimi mund të prekë bombarduesit, dronët dhe anijet luftarake amerikane, kapacitete që vendet europiane nuk i kanë në të njëjtin nivel.
Një zyrtar i NATO-s ka konfirmuar se SHBA-ja po punon me aleatët për rishikimin e pranisë ushtarake, por nuk ka komentuar përmbajtjen e dokumentit. Edhe Departamenti amerikan i Mbrojtjes nuk ka dhënë një koment zyrtar.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e ka cilësuar procesin si të arsyeshëm, duke argumentuar se vendet europiane dhe Kanadaja po rrisin ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen.
Megjithatë, nëse Uashingtoni vendos që madhësia dhe niveli i pranisë ushtarake amerikane të varen edhe nga përputhshmëria politike e aleatëve, debati nuk do të jetë më vetëm për buxhetet e mbrojtjes.
Ai mund të kthehet në një nga sfidat më të mëdha për marrëdhënien SHBA-Europë dhe për mënyrën se si do të funksionojë NATO-ja në vitet e ardhshme.



