Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke deklaruar se çështja e call centerave mashtruese është e mbrojtur nga shteti.
Në një deklaratë publike, Berisha tha se Amant Josifi është arratisur në Dubai, duke pretenduar se është shoqëruar nga Olsi Rama, pas një skeme mashtrimi që sipas tij ka dëmtuar qytetarë europianë me rreth 2.2 miliardë euro.
Berisha akuzoi gjithashtu drejtues të SPAK dhe prokurorisë, duke pretenduar se nuk është lëshuar mandat arresti për Josifin, pavarësisht, sipas tij, denoncimeve dhe hetimeve të mëhershme.
Ai pretendoi se rrjeti i call centerave mashtrues ka funksionuar përmes një sistemi të sofistikuar investimesh në kriptovaluta dhe platforma online, duke mashtruar qytetarë në vende të ndryshme të Europës.
Sipas tij, ky aktivitet nuk është goditur nga autoritetet shqiptare, por është zbuluar kryesisht nga policitë e huaja në Gjermani, Itali, Austri dhe Spanjë.
Berisha akuzoi gjithashtu se mosveprimi i institucioneve shqiptare përbën, sipas tij, një mbrojtje të këtij rrjeti kriminal, duke e cilësuar çështjen si një skandal të rëndë shtetëror.
Deri më tani, nuk ka reagim zyrtar nga personat e përmendur në deklaratat e tij.



