KreuAktualitetPolitikaDeri dje e quante “hajdut”, sot e kërkon aleat kundër Ramës/ Berisha...

Deri dje e quante “hajdut”, sot e kërkon aleat kundër Ramës/ Berisha i hap derën Veliajt

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Sali Berisha duket se nuk ka më asnjë problem të bashkëpunojë politikisht edhe me ata që deri dje i akuzonte me gjuhën më të ashpër. Kryetari i Partisë Demokratike ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë edhe me Erion Veliajn, pavarësisht sulmeve dhe akuzave të vazhdueshme që ka drejtuar ndaj tij, mjafton që objektivi i përbashkët të jetë largimi i Edi Ramës nga pushteti.

Gjatë një bashkëbisedimi online, Berisha u pyet nëse do të pranonte një bashkëpunim politik me kryebashkiakun e Tiranës. Përgjigjja e tij ishte se në këtë betejë mund të përfshihen të gjithë ata që e konsiderojnë Ramën si të keqen më të madhe për Shqipërinë.

Edhe pse nuk ngurroi ta cilësonte Veliajn si “të burgosur hajdut”, Berisha la të hapur mundësinë që ai të japë kontribut në largimin e kryeministrit. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për një bashkim programor, por për një aleancë rreth një objektivi të vetëm politik.

“Erion Veliaj është një i burgosur hajdut aty ku është, dhe në arrestimin dhe krimet e tij, Partia Demokratike ka një kontribut të pamohueshëm. Por, edhe njëherë e them, cilido që dëshiron të kontribuojë në largimin e të keqes më të madhe, nuk është bashkim programor ky. Po në qoftë se Veliaj jep kontribut, le të japë. Nuk ndaloj asnjërin. Absolutisht që nesër. Edhe të vazhdojë të kritikojë, pa diskutim”, deklaroi Berisha.

Për të justifikuar këtë qëndrim, kreu i PD-së solli si shembull edhe aleancën e Winston Churchill me Josif Stalinin gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke argumentuar se përballë një kundërshtari të përbashkët mund të bashkohen edhe palë që kanë dallime të thella mes tyre.

Deklarata ngre pikëpyetje për qëndrimet politike të Berishës, i cili prej kohësh e ka vendosur Veliajn në shënjestër të akuzave të tij, ndërsa tani pranon që ai të bëhet pjesë e një fronti të përbashkët kundër qeverisë, edhe pa pasur një marrëveshje apo platformë të përbashkët.

Gjatë të njëjtit bashkëbisedim, Berisha vijoi sulmet ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si një diktaturë më të keqe se regjimet komuniste dhe naziste. Ai akuzoi gjithashtu mediat dhe studiot televizive për kontroll nga qeveria, ndërsa pretendoi se opozita ka një alternativë të certifikuar nga fondacionet Konrad Adenauer dhe Heritage.

Në këtë mënyrë, për Berishën duket se kushti kryesor për bashkëpunim nuk është përputhja e qëndrimeve apo përgjegjësive politike, por kundërshtimi i Edi Ramës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat