Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar publikisht lidhur me debatet e krijuara mbi qëndrimin e opozitës ndaj protestave qytetare kundër projekteve të parashikuara në Zvërnec dhe Sazan, duke deklaruar se Partia Demokratike mbështet plotësisht protestuesit dhe kërkesat e tyre.
Përmes një deklarate të gjatë, Berisha theksoi se PD ka qenë që në fillim në krah të protestuesve, duke dënuar mënyrën sesi, sipas tij, qeveria ka trajtuar qytetarët që kundërshtojnë projektet.
“Partia Demokratike që në fillim ka deklaruar se dënon me forcën më të madhe dhunën dhe rrëmbimin e protestuesve paqësorë në Zvërnec, epitetet e përdorura nga Edi Rama ndaj tyre dhe rrethimin e fshatit me tela me gjemba, si në kohë pushtimesh”, deklaron Berisha.
Kreu i demokratëve sqaroi se protesta nuk është organizuar nga Partia Demokratike, por shtoi se forca politike që ai drejton respekton të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar dhe nuk u ka kërkuar mbështetësve të saj të qëndrojnë larg tubimeve.
Sipas tij, PD mbështet jo vetëm protestën, por edhe pesë kërkesat e artikuluara nga lëvizja qytetare, të cilat përfshijnë anulimin e projekteve të kontestuara, ndryshime ligjore dhe largimin e qeverisë aktuale.
“Partia Demokratike mbështet fuqimisht largimin e regjimit të paligjshëm e narkodiktatorial të Edi Ramës”, thuhet në deklaratë.
Berisha argumenton se opozita i ka kundërshtuar prej vitesh në Kuvend ligjet që, sipas tij, favorizojnë abuzimin me pasuritë publike dhe natyrore, duke përmendur ligjin për investimet strategjike, Partneritetet Publiko-Private, Paketën e Maleve, si dhe ndryshimet ligjore që lidhen me mjedisin dhe trashëgiminë kulturore.
Në reagimin e tij, ai ndalet edhe te çështjet mjedisore, duke renditur një sërë projektesh që, sipas opozitës, janë kundërshtuar vazhdimisht ndër vite.
Sipas Berishës, Partia Demokratike ka mbajtur qëndrime kundër projekteve dhe zhvillimeve në zona si Butrinti, Shebeniku, Mali i Dajtit, Lugina e Drinit dhe Aeroporti i Vlorës, duke argumentuar se ato kanë cenuar ekuilibrat mjedisorë dhe interesin publik.
Një pjesë e deklaratës fokusohet edhe te investimet e huaja, për të cilat Berisha sqaron se PD nuk mban qëndrim kundërshtues, por kërkon respektim të plotë të ligjit.
“Partia Demokratike nuk është dhe nuk do të jetë kurrë kundër investimeve të huaja në Shqipëri. Ajo i ka mirëpritur dhe do t’i mirëpresë ato me kushtin e vetëm dhe të panegociueshëm që të bëhen në përputhje të plotë me ligjet e vendit dhe ato ndërkombëtare”, shprehet ai.
Në fund të reagimit, Berisha e konsideron mungesën e transparencës së qeverisë për projektin e Zvërnecit si një nga arsyet kryesore që ka nxitur protestat, ndërsa i bën thirrje kryeministrit të ndryshojë qasjen ndaj qytetarëve protestues.
“Partia Demokratike mbështet plotësisht pesë kërkesat e drejta të përfaqësuesve të lëvizjes së fuqishme rinore e qytetare dhe i kërkon Edi Ramës të heqë dorë nga kërcënimet, arroganca, përçmimi dhe etiketimet e protestuesve”, deklaron Berisha.
Kreu i opozitës përsëriti gjithashtu kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie kujdestare, e cila sipas tij duhet të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.



