KreuDrejtësiaDosja “Partizani”/ Zbardhet dëshmia e Violeta Shqevit: Pronat nuk ishin të regjistruara

Dosja “Partizani”/ Zbardhet dëshmia e Violeta Shqevit: Pronat nuk ishin të regjistruara

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijoi këtë të hënë shqyrtimi i dosjes “Partizani”, ku para trupit gjykues u paraqitën dëshmitarët e kërkuar nga SPAK. Mes tyre dëshmoi edhe Violeta Shqevi, ish-zyrtare e Ministrisë së Kulturës dhe Sporteve, e cila dha shpjegime lidhur me funksionimin e klubit sportiv “Partizani”, statusin e aseteve sportive dhe ndryshimet ligjore të ndërmarra në sektorin e sportit gjatë viteve 2007-2008.

Në dëshminë e saj, Shqevi deklaroi se në vitin 2007 ka qenë e punësuar fillimisht si juriste në Ministrinë e Kulturës dhe Sporteve, më pas si drejtoreshë e sportit, ndërsa ka mbajtur edhe rolin e kryetares dhe koordinatores së Strategjisë së Sportit 2008-2020.

“Kam qenë e punësuar pranë Ministrisë së Kulturës dhe Sporteve, fillimisht si juriste në vitin 2007, më pas si drejtoreshë. Kam qenë në rolin e kryetares dhe koordinatores së Strategjisë së Sportit 2008-2020. Qëllimi i strategjisë ka qenë zhvillimi i sportit elitar dhe i sportit masiv, gjë që do të arrihej përmes disa mekanizmave të rëndësishëm, siç ishte rritja e infrastrukturës sportive në vend”, deklaroi ajo.

Sipas dëshmitares, në atë periudhë klubet sportive funksiononin si persona juridikë publikë dhe synimi ishte modernizimi i tyre përmes një qasjeje të re menaxhimi.

“Në atë kohë, klubet sportive ishin persona juridikë publikë. Synohej modernizimi i klubeve sportive, të cilat do të kishin një qasje të re dhe duhej të ishte e qartë mënyra se si do të zhvilloheshin. Na ishte lënë një afat dyvjeçar”, tha ajo.

Lidhur me klubin sportiv “Partizani”, Shqevi sqaroi se institucioni ku punonte administronte klubin shumësportësh, por jo ekipin e futbollit.

“Klubin Partizani e njoh si klub sportiv. Në atë kohë ne menaxhonim të gjithë klubin shumësportësh, me përjashtim të futbollit. Klubi kishte asete që nuk ishin në përgjegjësinë tonë të drejtpërdrejtë dhe për këtë arsye u shfaqën shqetësime nga drejtuesit”, deklaroi ajo.

Duke folur për asetet e klubit, ish-drejtoresha e Sportit tha se ato përfshinin palestra dhe objekte të ndryshme sportive, por shtoi se kishte paqartësi të mëdha mbi statusin juridik të tyre.

“Asetet ndodheshin në qendër të klubit. Zona ishte pranë shkollës ‘Naim Frashëri’, poshtë rrugës ‘Frosina Plaku’. Sipër palestrës së gjimnastikës kishte një palestër tjetër, ndërsa në një godinë tjetër zhvillohej mundja dhe disa sporte të tjera. Për ne ishte shumë i rëndësishëm zhvillimi i aktivitetit sportiv. Klubi Sportiv Partizani ishte shumë i rëndësishëm për të gjithë Shqipërinë”, tha ajo.

Pyetjeve të Prokurorisë mbi regjistrimin e pronave, Shqevi iu përgjigj se institucionet sportive nuk kishin informacion të qartë mbi pronësinë e tyre.

“Jo, nuk kanë qenë të regjistruara. Drejtoria e Sportit nuk ka pasur informacion zyrtar mbi ekzistencën e një pronari. Kur janë paraqitur këto kërkesa, i kam drejtuar eprorëve të mi shkresë që të regjistroheshin pronat e klubit”, deklaroi dëshmitarja.

Një pjesë e rëndësishme e dëshmisë së saj u fokusua edhe te ndryshimet ligjore në sektorin e sportit, veçanërisht ato të viteve 2007 dhe 2008.

“Në tetor 2007 kam qenë pjesë e stafit të Drejtorisë Juridike. Sigurisht që shihej një qasje e re për zhvillimin e sportit. Shteti kishte vendosur një afat dyvjeçar për transformimin e klubeve sportive në shoqëri aksionare. U pa si e rëndësishme që të përfshiheshin edhe të tretët dhe të merreshin në konsideratë format e koncesionit”, u shpreh ajo.

Në pyetjet e Prokurorisë lidhur me ndryshimet që sollën konceptin e privatizimit në vitin 2008, Shqevi deklaroi se Drejtoria e Sportit ishte përfshirë vetëm në nivel teknik dhe konsultativ.

“Në vitin 2008 u ngrit një grup teknik për përcaktimin e disa objektivave strategjikë për zhvillimin e sportit, një prej të cilëve ishte infrastruktura. Drejtoria e Sportit ka qenë e qartë dhe e prerë; ne kemi kërkuar rritje të infrastrukturës sportive dhe kemi bërë përpjekje për sigurimin e sipërfaqeve”, tha ajo.

Shqevi shtoi se ekspertët kishin evidentuar mungesë serioze të sipërfaqeve sportive në vend.

“Ekspertët teknikë ishin shprehur se sipërfaqja sportive për frymë në Shqipëri ishte 0.008. Ne propozuam që të zbatohej modeli rumun, sipas të cilit ministria përgjegjëse për sportin dhe qeveria do të duhej t’i zëvendësonin këto sipërfaqe në një vend tjetër”, deklaroi ajo.

Në fund të dëshmisë së saj, ish-zyrtarja theksoi se drejtoria që ajo përfaqësonte nuk kishte kompetenca mbi pasuritë e paluajtshme dhe se roli i tyre kishte qenë ekskluzivisht teknik.

“Ne ishim pro rritjes së infrastrukturës sportive, pa ndryshuar destinacionin e saj. Nuk ishim ne vendimmarrësit; ne kërkuam zbatimin e ligjit. Kompetencat e mia ishin organizimi i drejtorisë përkatëse, hartimi i politikave dhe detyra të tjera në përputhje me legjislacionin. Ne nuk kishim lidhje me pasuritë e paluajtshme”, përfundoi ajo.

Shqevi sqaroi gjithashtu se Strategjia Kombëtare e Sportit 2008-2020 nuk arriti të miratohej për shkak të kostove financiare.

“Strategjia për të cilën po punonim vazhdonte të trajtohej pranë Ministrisë së Financave. Kjo e fundit pretendonte se kostot ishin të larta. Për këtë arsye strategjia nuk mori miratimin e Ministrisë së Financave. Strategjia nuk u miratua për shkak të mungesës së fondeve gjatë vitit 2008”, deklaroi dëshmitarja.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat