Bordi i Transparencës ka publikuar çmimet e reja të karburanteve në Shqipëri, duke vendosur ulje për naftën dhe benzinën.
Sipas vendimit të ri, prej orës 12:00 të kësaj të mërkure, nafta do të tregtohet me 196 lekë për litër, ose 10 lekë më pak krahasuar me mbledhjen e fundit të bordit. Ndërkohë, benzina do të shitet me 180 lekë për litër, me një ulje prej 4 lekësh.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 nuk duhet të jetë më shumë se 196 lekë/litër, ndërsa ai me shumicë jo më shumë se 184 lekë/litër.
Për benzinën, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është caktuar në 180 lekë/litër, ndërsa ai me shumicë në 168 lekë/litër.
Bordi thekson se çmimet e reja hyjnë në fuqi menjëherë dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut.
Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregtimit të karburanteve për zbatimin e detyrueshëm të vendimit, duke bërë të ditur se në rast shkeljesh do të vendoset pezullim i aktivitetit.
Në fund të njoftimit, sqarohet se bazuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, akciza reduktohet në 80% vetëm në rastet kur çmimi i naftës kalon 220 lekë/litër ose benzina 200 lekë/litër. Duke qenë se çmimet aktuale janë nën këto kufij, akciza do të vijojë të aplikohet në nivelin e plotë, 100%.



