back to top
24.2 C
Tirana
E enjte, 18 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetPolitikaBrukseli zbut tonet për projektin e Kushner/ Marta Kos: Kemi marrë garanci...

Brukseli zbut tonet për projektin e Kushner/ Marta Kos: Kemi marrë garanci nga Tirana

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, deklaroi se qeveria shqiptare i ka dhënë garanci Komisionit Evropian se projekti turistik me vlerë mbi 1.4 miliardë euro, i lidhur me Jared Kushner, do t’i nënshtrohet një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis dhe do të zbatojë standardet evropiane.

“Ne kemi marrë garanci nga qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane të mjedisit do të respektohen”, deklaroi Kos gjatë një konference për shtyp.

Deklaratat e komisioneres vijnë në një kohë kur projekti luksoz në bregdetin shqiptar ka shkaktuar debat të fortë publik dhe protesta, për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin në zonat e mbrojtura mjedisore.

Megjithatë, Kos mbajti një ton më të moderuar, duke theksuar se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian ofron garanci për mbrojtjen e mjedisit dhe se protestat janë pjesë e vlerave demokratike evropiane.

“Ky proces është ligjërisht dhe politikisht detyrues dhe i nënshtrohet monitorimit dhe vlerësimit të vazhdueshëm. Kjo ofron garancinë më të fortë që natyra dhe mjedisi i Shqipërisë do të mbrohen në përputhje me standardet evropiane”, u shpreh ajo.

Vetëm pak ditë më parë, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Zgjerimin, Guillaume Mercier, u kishte bërë thirrje autoriteteve shqiptare të veprojnë “pa vonesë”, pas shqetësimeve të ngritura nga Brukseli lidhur me projektin.

Komisioni Evropian ka shprehur më herët rezerva edhe për ndryshimet ligjore të miratuara në Shqipëri në shkurt të vitit 2025, që parashikojnë trajtim të posaçëm për investimet mbi 50 milionë euro. Sipas Brukselit, në këtë kategori përfshihet edhe projekti i mbështetur nga kompania Affinity Partners, e lidhur me Jared Kushner.

Duke komentuar investimet e huaja, Marta Kos nënvizoi se për Bashkimin Evropian nuk ka rëndësi origjina e kapitalit, por respektimi i rregullave dhe i legjislacionit evropian.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat