Policia e Shtetit ka finalizuar një sërë emërimesh në nivel drejtuesish vendorë, ku spikat caktimi i oficerit të karrierës, Ermal Muça, në krye të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë.
Sipas informacioneve të publikuara nga A2 CNN, pas ngjarjeve të rënda të regjistruara në këtë qark, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe drejtuesit e strukturave qendrore i kanë besuar drejtimin Muçës, një oficer me eksperiencë të gjatë dhe me vlerësime pozitive në detyrat që ka mbajtur më herët.
Ndërkohë, janë konfirmuar përfundimisht në detyrë edhe tre drejtues të tjerë vendorë, të cilët deri më tani ushtronin funksionin me komandim.
Edvin Ndreu është emëruar zyrtarisht drejtor i Policisë së Vlorës, ndërsa Ervin Hodaj do të vijojë të drejtojë Policinë e Durrësit. Po ashtu, Erion Ahmeti ka marrë emërimin përfundimtar në krye të Policisë së Fierit.
Tre drejtuesit kishin qenë të komanduar në këto poste dhe, pas përfundimit të procedurave të garës, kanë marrë tashmë emërimin e plotë dhe përfundimtar në drejtimin e drejtorive përkatëse.



