Banorët e Cërrikut kanë nisur një peticion kundër propozimit për riorganizimin e ri territorial, që parashikon bashkimin e qytetit me Bashkinë Elbasan.
Nisma ka marrë mbështetjen e banorëve që kërkojnë që Cërriku të vijojë të funksionojë si bashki më vete dhe të mos shkrihet në një njësi të vetme administrative me Elbasanin.
Organizatorët e peticionit shprehen se kundërshtimi i tyre lidhet me ruajtjen e identitetit të qytetit, por edhe me shqetësimet për mënyrën se si do të ofrohen shërbimet publike dhe si do të përfaqësohen banorët nëse bashkimi realizohet.
Peticioni pritet t’u dërgohet institucioneve vendase, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar se do ta përcjellin edhe te institucione ndërkombëtare, në kuadër të kundërshtimit të riorganizimit territorial të propozuar.
Ndryshimet e propozuara kanë hapur debat në disa zona të qarkut të Elbasanit. Partia Socialiste ka propozuar shkrirjen e tre bashkive.
Sipas variantit të propozuar, Cërriku dhe Belshi do t’i bashkohen Bashkisë Elbasan, ndërsa Përrenjasi do të bashkohet me Librazhdin.
Por propozimi nuk është pritur njësoj nga banorët. Në disa bashki kanë nisur kundërshtimet, ndërsa qytetarët po kërkojnë që para se të merret një vendim përfundimtar të dëgjohet zëri i komuniteteve lokale.
Edhe bashkitë kanë nisur dëgjesat publike me banorët, ku po diskutohen ndryshimet e propozuara dhe pasojat që mund të ketë një hartë e re territoriale.
Në Cërrik, megjithatë, banorët kanë zgjedhur ta shprehin kundërshtimin edhe përmes një peticioni. Për ta, çështja nuk është thjesht një ndryshim në hartën administrative, por një vendim që prek drejtpërdrejt mënyrën se si do të funksionojë qyteti dhe si do të përfaqësohet komuniteti në të ardhmen.
Debati për ndarjen e re territoriale pritet të vijojë në ditët në vazhdim, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kundërshtimet e banorëve do të ndikojnë në variantin përfundimtar të reformës.



