Pas rreth dy dekadash, Shqipëria pritet t’i japë fund importit të mishit nga Brazili, një prej furnizuesve kryesorë të tregut shqiptar ndër vite.
Vendimi lidhet me ndryshimet e miratuara në kuadrin europian për importin e produkteve me origjinë shtazore nga Brazili. Sipas dokumenteve të Ministrisë së Bujqësisë, ndryshimet e reja të rregullave të Bashkimit Europian reflektohen drejtpërdrejt edhe në kushtet që duhet të plotësojnë importuesit shqiptarë.
Në qendër të çështjes janë edhe shqetësimet lidhur me përdorimin e medikamenteve veterinare që ndikojnë në rritjen e masës muskulare të kafshëve.
Ministria e Bujqësisë i ka dërguar një shkresë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ku përcakton mënyrën se si duhet të veprohet me operatorët që importojnë mish nga Brazili.
Në dokument thuhet se, për sa kohë urdhri shqiptar i vitit 2006 e kushtëzon importin me miratimin nga Bashkimi Europian të zonave dhe stabilimenteve të prodhimit, ndryshimet e reja europiane duhet të zbatohen drejtpërdrejt edhe në Shqipëri.
Për këtë arsye, AKU-së i është kërkuar të marrë masat për njoftimin e bizneseve që importojnë mish gjedhi dhe shpendësh nga Brazili.
Zbatimi i ndryshimeve nis më 3 shtator 2026.
Brazili, furnizues kryesor i tregut shqiptar
Për vite me radhë, Brazili ka qenë një prej burimeve kryesore të furnizimit të Shqipërisë me produkte të mishit.
Që prej vitit 2006, nga ky vend janë importuar sasi të konsiderueshme mishi viçi, derri dhe pule, ndërsa produktet braziliane kanë zënë një vend të rëndësishëm edhe në industrinë shqiptare të përpunimit të mishit.
Të dhënat e WITS, të Bankës Botërore, tregojnë se vetëm gjatë vitit 2024 Shqipëria importoi nga Brazili produkte të mishit dhe të brendshme me vlerë rreth 28.5 milionë dollarë.
Nga kjo shumë, rreth 10.1 milionë dollarë i përkisnin mishit dhe produkteve të kategorisë së shpendëve.
Shifrat tregojnë se vendimi nuk është thjesht një ndryshim teknik në procedurat e importit. Ai prek drejtpërdrejt një treg me vlerë të konsiderueshme dhe një industri që prej vitesh është mbështetur te furnizimet nga Brazili.
Shqipërisë i duhet një treg i ri
Ndërprerja e importit e vendos tashmë tregun shqiptar përballë nevojës për të gjetur furnizues të rinj.
Sfida nuk do të jetë vetëm gjetja e një burimi tjetër që të zëvendësojë sasitë e mishit brazilian. Për industrinë dhe konsumatorët shqiptarë, rëndësi do të ketë edhe çmimi, cilësia dhe mbi të gjitha siguria ushqimore.
Brazili ishte një furnizues i rëndësishëm pikërisht për shkak të kostove konkurruese dhe kapaciteteve të mëdha të prodhimit.
Tashmë importuesit shqiptarë duhet të orientohen drejt tregjeve të tjera, ndërsa autoritetet kanë përballë një tjetër sfidë: të sigurojnë që zëvendësimi i mishit brazilian të mos sjellë probleme të reja për konsumatorin shqiptar, qoftë për çmimet, qoftë për cilësinë dhe kontrollin veterinar.
Pas 20 vitesh, një kapitull i rëndësishëm i tregtisë së mishit mes Shqipërisë dhe Brazilit mbyllet më 3 shtator. Pyetja tani është se cili do të jetë furnizuesi i ri i shqiptarëve dhe sa do t’i kushtojë kjo ndryshime tregut dhe konsumatorit.



