KreuAktualitetPolitikaHarta e mesnatës/ Cilat bashki zhdukën 85 votat e socialistëve?

Harta e mesnatës/ Cilat bashki zhdukën 85 votat e socialistëve?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Pas mesnate, Kuvendi miratoi me 85 vota pro ligjin për Hartën e re Territoriale, pas debatesh dhe kundërshtish të shumta. Reforma parashikon bashkimin e 28 bashkive në 13 bashki të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të bashkive në vend në 46.

Sipas ndarjes së re, territori do të organizohet në 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative. Modeli ruan bashkinë si njësinë e vetme të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill bashkiak, një administratë dhe një buxhet të vetëm.

Rreth 225 mijë banorë në 13 bashkitë që do të bashkohen me bashki fqinje do të përfshihen në strukturat e reja administrative.

Ndryshimet sipas qarqeve

Në Qarkun Tiranë, kryeqyteti ruan kufijtë ekzistues, ndërsa Kavaja dhe Rrogozhina bashkohen në një bashki të vetme. Një ndryshim tjetër është krijimi i njësisë së re administrative Rinas, që do të përfshihet në Bashkinë e Tiranës. Ajo do të përfshijë fshatin Rinas, aktualisht pjesë e Bashkisë Krujë, si dhe Bërxullën dhe Domjen, që i përkasin Bashkisë Vorë. Kjo ndarje synon të bashkojë në një njësi territorin e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe zonën ekonomike përreth tij.

Në Qarkun Shkodër, Fushë-Arrëzi bashkohet me Pukën, ndërsa Qarku Lezhë mbetet i pandryshuar.

Në Berat, nga pesë bashki parashikohen tri. Berati bashkohet me Poliçanin dhe Dimalin, ndërsa Kuçova dhe Skrapari mbeten bashki më vete.

Ndryshime të rëndësishme parashikohen edhe në Elbasan. Përrenjasi bashkohet me Librazhdin, një vendim që ka shkaktuar kundërshti te banorët vendas. Ndërkohë, Bashkia Elbasan zgjerohet duke përfshirë Belshin dhe Cërrikun, ndërsa Peqini dhe Gramshi ruhen si bashki më vete.

Në Qarkun Fier, Patosi bashkohet me Fierin, ndërsa Lushnja zgjerohet duke përfshirë Divjakën, çka i jep asaj dalje në det.

Në Dibër, Klosi bashkohet me Matin. Ndryshimet janë më të shumta në Gjirokastër, ku Tepelena bashkohet me Memaliajn, Përmeti me Këlcyrën, ndërsa Gjirokastra përfshin edhe Bashkinë e Libohovës.

Në Vlorë, bashkia zgjerohet duke u bashkuar me Selenicën. Në juglindje, Maliqi bashkohet me Korçën, pavarësisht kundërshtive të ngritura ndaj këtij ndryshimi.

Qarku Kukës, më i vogli në vend, mbetet i pandryshuar, me tri bashki: Kukësin, Hasin dhe Tropojën.

Bashkitë që ruhen

Sipas modelit të propozuar, ndarja e re merr në konsideratë largësitë gjeografike, praninë e minoriteteve, vijueshmërinë territoriale, aksesin rrugor dhe veçoritë identitare të zonave.

Për këtë arsye, bashki si Pusteci, Finiqi, Dropulli, Tropoja, Hasi, Skrapari dhe Konispoli ruhen si raste të veçanta, pavarësisht treguesve financiarë dhe demografikë.

Miratimi i ligjit vjen pas debateve për mënyrën se si bashkimet do të ndikojnë në përfaqësimin vendor, administrimin e shërbimeve dhe marrëdhënien e banorëve me institucionet lokale. Zbatimi i ndarjes së re do të përcaktojë nëse konsolidimi i bashkive do të sjellë administrim më efikas apo do të shtojë distancën mes qytetarëve dhe pushtetit vendor.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat