Grupi politik “Demokratët Evropianë” (EDP/PDE) në Parlamentin Europian ka reaguar lidhur me çështjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke shprehur shqetësim për kohëzgjatjen e paraburgimit të tij dhe mënyrën se si po trajtohet rasti nga autoritetet shqiptare.
Në deklaratën e tyre, eurodeputetët e këtij grupimi nënvizojnë se Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa akuzat zyrtare, sipas tyre, iu komunikuan vetëm në korrik të të njëjtit vit, pas 163 ditësh.
Reagimi vjen edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi një vendim të Gjykatës së Lartë dhe kërkoi rishqyrtimin e masës së paraburgimit ndaj Veliajt. Sipas “Demokratëve Evropianë”, kjo ngre pikëpyetje mbi proporcionalitetin e masës së sigurisë, veçanërisht në raport me mandatin e tij si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës.
“Ne i bashkohemi thirrjes ndaj autoriteteve shqiptare që të respektojnë shtetin e së drejtës, prezumimin e pafajësisë dhe parimin e proporcionalitetit”, thuhet në deklaratë.
Grupi politik europian e lidh këtë rast me një shqetësim më të gjerë për gjendjen e demokracisë në Shqipëri. Sipas tyre, lufta kundër korrupsionit duhet të ecë paralelisht me garantimin e një drejtësie të pavarur, të paanshme dhe në respekt të të drejtave themelore.
“Shqipëria meriton një të ardhme evropiane – një të ardhme që të jetë plotësisht demokratike, transparente dhe e përkushtuar fort ndaj luftës kundër korrupsionit”, theksojnë Demokratët Evropianë, duke shtuar se do të vijojnë ta mbajnë çështjen e Veliajt në vëmendje.
Reagimi i grupit në Parlamentin Europian e vendos kështu çështjen e kryebashkiakut të Tiranës përtej debatit të brendshëm politik, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me standardet e shtetit të së drejtës dhe mënyrën se si drejtësia ushtrohet në Shqipëri.



