Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë ka rrëzuar kërkesës e Nezar Seitit për ndryshim të masës së sigurisë.
Seiti, kujtojmë se është etiketuar si financieri i grupit të Habilajve.
Risjellim në vëmendje se në maj të vitit 2021, GJKKO dënoi Moisi Habilajn me 10 vite burg për veprat penale trafik droge dhe grupi i strukturuar kriminal, nga 15 vite që kishte kërkuar SPAK.
Të dënuar ishin edje 3 anëtarët e grupit, Nezar Seiti, Meridian Sulaj dhe Fatmir Minaj secili i dënuar me nga 9 vite burg nga 13 vite që kishte kërkuar SPAK.
Këtij grupi në tetor të 2017, në Babicë të Vlorës iu kap një sasi prej 4 ton kanabis e fshehur në një vilë dykatëshe.
4 të dënuarit nga GJKKO përfituan nga dënimi i shkurtuar duke e ulur me 1/3. SPAK kërkoi 63 vite burg në total, por ata përfituan nga gjykimi i shkurtuar duke marrë në total 37 vite burg.
Vendimi i GJKKO-së
Kërkuesi Nezar Seiti me datë 31.10.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimin e masës së sigurimit”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Elsa Ulliri, Rudina Palloj dhe Luljeta Kole, bazuar në nenin 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 620, datë 07.11.2024, vendosi:
Rrëzimin e kërkesës.
Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.