Edhe pse i zhdukur prej më shumë se katër vitesh, emri i Ervis Martinajt vijon të jetë pjesë e dosjeve hetimore dhe vendimeve gjyqësore. Një vendim i dhomës së këshillimit në Gjykatën e Lartë, i marrë në mars të këtij viti, zbardh detaje të reja mbi provat që çuan në ngritjen e akuzave ndaj ish-bosit të lojërave të fatit për armëmbajtje pa leje dhe mbajtje të paligjshme të uniformave të policisë.
Sipas dokumenteve, policia kishte marrë informacion se Martinaj ndodhej në hotelin “Zeus Garden”, pranë Rinasit, në pronësi të Armand dhe Ergys Mërlikaj. Më 19 maj 2022, efektivët zhvilluan një kontroll të shpejtë në ambientet e hotelit, por nuk arritën ta gjenin Martinajn.
Megjithatë, në dhomën 406 ku dyshohej se ai kishte qëndruar, policia sekuestroi një sërë objektesh të dyshimta, mes tyre një pistoletë tip “SIG”, një krehër me 7 fishekë 9 mm, një fishek model 56 kalibër 7.62 mm, jelekë me mbishkrimin “Policia”, bexha dhe portofolë policie, maska të zeza me tre vrima, doreza antiplumb dhe dy palë pranga.
Pas kontrollit, policia arrestoi dy pronarët e hotelit, Armand dhe Ergys Mërlikaj, ndërsa për moskallëzim krimi u procedua edhe menaxherja e hotelit, Dea Pistolja.
Sipas dosjes së Gjykatës së Lartë, organi hetimor urdhëroi kryerjen e disa ekspertimeve biologjike, daktiloskopike, balistike dhe kimike mbi provat e sekuestruara. Prova kryesore që lidhi Martinajn me dhomën rezultoi të ishte një furçë dhëmbësh e gjetur në hotel.
“Në vijim është administruar akti i ekspertimit biologjik AND nr. 11006, datë 23.11.2025, në rezultat të të cilit përcaktohet se profili gjenetik human i plotë i seksit mashkull i përfituar nga mbetjet në furçën e dhëmbëve në dental kit dhe veshjet e gjetura përputhet dhe është identik me profilin gjenetik të emërtuar Ervis Martinaj në sistemin CODIS”, thuhet në dokumentin e Gjykatës së Lartë, shkruan newsbombe.
Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej vitit 2022 dhe deri më sot nuk ka asnjë informacion zyrtar mbi fatin apo vendndodhjen e tij.



