Uashingtoni ka njoftuar aleatët e NATO-s se planifikon të reduktojë gradualisht praninë ushtarake amerikane të dedikuar për aleancën, duke përfshirë bombardues strategjikë, avionë luftarakë, dronë, nëndetëse dhe anije luftarake.
Sipas raportimeve, njoftimi është bërë gjatë një takimi me dyer të mbyllura të drejtorëve të politikave të NATO-s nga këshilltari i Pentagonit, Alexander Velez-Green. Dy diplomatë të aleancës konfirmuan se administrata amerikane po shqyrton një ulje të rolit ushtarak në Europë, ndërsa vazhdon t’u bëjë presion vendeve europiane që të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre.
Reduktimet lidhen me politikën afatgjatë të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka kritikuar vazhdimisht NATO-n dhe ka kërkuar që aleatët europianë të rrisin shpenzimet për mbrojtjen. Sipas diplomatëve, lëvizja pasqyron edhe fokusin e ri strategjik të SHBA-ve drejt rajonit Indo-Paqësor.
Burimet thanë se detajet e sakta të shkurtimeve ende nuk janë finalizuar dhe se Uashingtoni nuk ka përcaktuar një afat kohor konkret për zbatimin e tyre. Megjithatë, SHBA-të kanë siguruar aleatët se nuk do të ketë ndryshime në kapacitetin e parandalimit bërthamor.
“Nuk janë dhënë ende të gjitha detajet, por tashmë situata është shumë më e qartë”, tha një diplomat i NATO-s. Sipas tij, disa kapacitete ushtarake mund të reduktohen pjesërisht, ndërsa të tjera mund të tërhiqen plotësisht, në varësi të aftësisë së vendeve europiane për të plotësuar boshllëqet.
Çështja pritet të diskutohet më tej në konferencën e NATO-s për Gjenerimin e Forcave, që do të zhvillohet muajin e ardhshëm. Në këtë takim, planifikuesit ushtarakë të vendeve anëtare do të përcaktojnë kapacitetet dhe kontributet që mund të ofrojnë për aleancën.



