Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Banka Raiffeisen ka reaguar pas incidentit të një dite më parë, ku një numër i madh klientësh raportuan ndryshime në balancat e llogarive të tyre dhe mungesë të përkohshme të parave.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, banka thotë se problemi është zgjidhur dhe se llogaritë tashmë pasqyrojnë gjendjen e saktë.
“Gjatë ditës së sotme disa nga klientët tanë kanë pasur përkohësisht ndryshime në balancat e llogarive të tyre të lidhura me disa transaksione me kartë. Situata është adresuar plotësisht dhe balancat e llogarive pasqyrojnë gjendjen e saktë”, thuhet në njoftimin e Raiffeisen.
Banka mohon që problemi të ketë ardhur si pasojë e një sulmi kibernetik apo të një aksesi të paautorizuar në sistemet e saj.
“Dëshirojmë gjithashtu të sqarojmë se nuk është identifikuar asnjë akses i paautorizuar në sistemet e bankës, nuk ka pasur kompromentim të të dhënave të klientëve dhe nuk është evidentuar asnjë incident i sigurisë kibernetike”, deklaron Raiffeisen.
Megjithatë, në reagimin e saj banka nuk jep detaje se çfarë e shkaktoi problemin dhe pse balancat e llogarive të klientëve u ndryshuan përkohësisht.
Pas incidentit, shqetësimi kryesor i klientëve ishte pikërisht pasiguria mbi paratë e shfaqura në llogaritë e tyre dhe arsyen e ndryshimit të balancave.



