back to top
27.5 C
Tirana
E premte, 22 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitet“Parti-lider dhe votime për procedurë”/ ISP apel për reforma

“Parti-lider dhe votime për procedurë”/ ISP apel për reforma

Instituti i Studimeve Politike (ISP) ka reaguar përmes një deklarate në rrjetet sociale lidhur me mënyrën e funksionimit të partive politike në Shqipëri, duke kritikuar praktikat e votimeve “për procedurë” dhe mungesën e demokracisë së brendshme.

Sipas ISP-së, kjo formë votimi përbën devijim nga standardet kushtetuese dhe ligjore, pasi cenon parimin e demokracisë konkurruese dhe rolin që partitë duhet të kenë në funksionimin demokratik të vendit.

Në reagim thuhet se partitë që nuk janë demokratike dhe llogaridhënëse brenda strukturave të tyre, nuk mund të garantojnë demokraci dhe llogaridhënie as në ushtrimin e pushtetit ndaj qytetarëve dhe institucioneve shtetërore.

ISP vlerëson se votimet formale prodhojnë “parti-lider”, të shkëputura nga realiteti dhe nevoja për reforma, ndërsa zgjedhjet reale dhe konkurruese i ndihmojnë partitë të reformohen, të debatojnë dhe të krijojnë besim si brenda strukturave të tyre, ashtu edhe te qytetarët.

Në deklaratë theksohet se zgjedhjet e rregullta dhe reale përbëjnë standard minimal për çdo demokraci, edhe në vende me demokraci të brishtë si Shqipëria.

Instituti i Studimeve Politike e lidh reagimin e tij edhe me debatin aktual parlamentar mbi ligjin për financimin politik dhe projektligjin e ri për partitë politike. Sipas ISP-së, vendosja e partive politike në një kuadër të qartë ligjor dhe kushtetues është kusht thelbësor për cilësinë e reformave dhe rritjen e integritetit në politikë, në kuadër edhe të procesit të integrimit europian.

ISP bëri të ditur se është duke monitoruar procesin dhe se ka paraqitur në komisionin e posaçëm një draft me ndryshime thelbësore në legjislacionin për partitë politike.

Në përfundim të reagimit, organizata apelon për rritjen e sensibilitetit institucional dhe publik, me qëllim kalimin nga votimet formale drejt zgjedhjeve me integritet, konkurrencë, transparencë dhe llogaridhënie, duke e konsideruar këtë si një domosdoshmëri për forcimin e besimit të qytetarëve tek politika përfaqësuese.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat