Autor: Alqi Koçiko*
Si pjesë e një grupi gazetarësh nga Evropa Lindore dhe Juglindore, vizitova Kinën në vitin 2009, në kuadër të 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona dhe Kinës. Në atë kohë, ishte në modë të lexoje tituj në shtypin ndërkombëtar për ndotjen shqetësuese të ajrit në qytete të mëdha si Pekini dhe gjetkë.
Ndërkohë, përpara Lojërave Olimpike të Pekinit në vitin 2008, qeveria kineze ishte aq e shqetësuar për ndotjen, sa vendosi kufizime të përkohshme për qarkullimin e makinave, mbylli fabrika dhe ndaloi punimet në disa kantiere ndërtimi. Masat funksionuan dhe një studim zbuloi më vonë se nivelet e ndotjes së ajrit ranë me 30% gjatë periudhës kur ishin në fuqi kufizimet e përkohshme olimpike.
Në fakt, vetëm një vit pas kësaj nisme, ne pamë një Pekin krejtësisht ndryshe nga ai për të cilin kishim dëgjuar; për një qytet shumëmilionësh, ajri ishte shumë i pastër se ai i Tiranës. Në vitin 2013, qeveria kineze filloi të zbatonte një plan më të përgjithshëm veprimi për ajrin e pastër. Që atëherë, Kina ka arritur një përmirësim dramatik të cilësisë së ajrit.

Pyll mangrove në Rezervatin Natyror Kombëtar Dongzhaigang në provincën Hainan të Kinës jugore. / Foto nga VCG
Në ditët e sotme, Kina ka bërë përparime aq mbresëlënëse në zhvillimin e gjelbër, sa është shndërruar në një lider botëror dhe në një shembull për t’u ndjekur. Planet ambicioze të udhëheqjes kineze në këtë drejtim ilustrohen me detaje në Rekomandimet e Komitetit Qendror të PKK-së për Hartimin e Planit të 15-të Pesëvjeçar për Zhvillimin Ekonomik dhe Social Kombëtar. Ato përfshijnë disa pika kyçe, si lufta kundër ndotjes, përshpejtimi i kalimit drejt një sistemi të ri energjetik, kontrolli i emetimeve të karbonit dhe promovimi i praktikave dhe stileve të jetesës miqësore me mjedisin.
Që Kina është e aftë të ndërmarrë iniciativa gjigante, mjafton të përmendet se në nëntor 2024 vendi përfundoi një fushatë 46-vjeçare për të “bllokuar” përmes një operacioni masiv pyllëzimi, shkretëtirën e saj më të madhe. Si rezultat, pas një këmbënguljeje afatgjatë “gabo, mëso dhe përmirëso”, u përfundua një brez i gjelbër rreth 3,000 km përreth Shkretëtirës Taklamakan, në rajonin veriperëndimor të Xinjiang-ut, nën projektin e njohur si Muri i Madh i Gjelbër. Janë mbjellë më shumë se 30 milionë hektarë pemë, duke rikuperuar zona të mëdha toke shkretinore. Por kjo ndërmarrje e paimagjinueshme nuk përfundon këtu.
Vendi synon arritje të reja në këtë fazë vendimtare të programit kombëtar të brezave mbrojtës pyjorë në veriperëndim, veri dhe verilindje të Kinës, si dhe forcimin e mburojave ekologjike në rajone si rrafshnalta Qinghai-Tibet
Në rekomandimet për Planin e 15-të Pesëvjeçar kërkohet vijimi i programeve masive të gjelbërimit, vëmendje më e madhe ndaj trajtimit të ndotjes në burim, me moton “Të mbajmë qiellin blu, ujërat të kthjellëta dhe tokën të pastër.” Gjithashtu kërkohet aktivizimi i nismave për trajtimin e gjithanshëm të mbetjeve të ngurta si dhe përmirësimi i sistemeve të standardeve mjedisore, monitorimit dhe vlerësimit.
Kina vijon të thyejë rekorde me rritjen e vazhdueshme të prodhimit të energjisë diellore dhe asaj të erës. Deri në qershor 2025, kapaciteti i instaluar i energjisë fotovoltaike diellore i vendit ka kaluar për herë të parë 1,000 GW, ekuivalente me gjysmën e kapacitetit total të instaluar diellor në botë. Sasia e energjisë diellore dhe asaj eolike në ndërtim në Kinë është tani pothuajse dyfish i pjesës tjetër të botës së bashku.

Një park eolik në provincën Hainan të Kinës jugore, tetor 2025. / Foto nga VCG
Me fjalë të tjera, Kina është transformuar në një kontribuuese kyçe për një planet më të gjelbër. Edhe në Rekomandimet e reja synohet rritja e peshës së energjisë së re në furnizimin total me energji, përparimi i tranzicionit sistematik nga lëndët djegëse fosile drejt alternativave të sigurta dhe të besueshme, si dhe ndërtimi i një sistemi të ri të energjisë elektrike.
Njëkohësisht, promovohet përdorimi i pastër dhe efikas i lëndëve djegëse fosile, me vazhdimin e modernizimit të termocentraleve me qymyr dhe heqjen graduale të përdorimit të qymyrit në sektorët jo-industrialë.
Sipas të dhënave të janarit 2026, kompania kineze BYD ka tejkaluar Teslën si shitësi më i madh në botë i automjeteve elektrike (EV), duke shënuar herën e parë që e kalon rivalin amerikan në shitjet vjetore. Zgjerimi i shpejtë i kompanisë me seli në Shenzhen ka ndodhur veçanërisht në Amerikën Latine, Azinë Juglindore dhe pjesë të Evropës.
Sot, vendi synon të zhvillojë burime të shpërndara energjie dhe të ndërtojë fabrika dhe parqe industriale me zero karbon. Ndër rekomandimet për Planin e 15-të Pesëvjeçar spikat zgjerimi i mbulimit të Bursës së Tregtimit të Emisioneve të Karbonit në Kinë dhe krijimi më i shpejtë i një Tregu Kombëtar Vullnetar për Reduktimin e Emetimeve të Gazrave Serrë.
Njëkohësisht, promovohet menaxhimi mjedisor sipas veçorive rajonale dhe tranzicionet e gjelbra e me karbon të ulët në industri, zhvillimin urban e rural, transport, energji dhe sektorë të tjerë kyç. Kërkohen përmirësime në sistemet e kontrollit të konsumit total të burimeve dhe ruajtjes gjithëpërfshirëse të tyre, ndërsa ndarja dhe riciklimi i mbetjeve duhet të përshpejtohen për të nxitur ekonominë qarkulluese.

Panele fotovoltaike në qytetin Bozhou, Provinca Anhui, Kina lindore, gusht 2024. / Foto nga VCG
Nga një lexim i Rekomandimeve të Komitetit Qendror të PKK-së për Hartimin e Planit të 15-të Pesëvjeçar për Zhvillimin Ekonomik dhe Social Kombëtar në fushën e zhvillimit të gjelbër, kupton vëmendjen që i është kushtuar çdo aspekti të këtij sektori kaq të gjerë dhe shumëplanësh. Dhe njëkohësisht sheh sesa më i thjeshtë do të kishte qenë zbatimi praktik dhe serioz i një sipërmarrjeje të tillë për vendin tonë.
Sepse problemi i ndotjes në Shqipëri është “sekreti ynë i përbashkët”. Pavarësisht faktit se vendi prodhon pothuajse tërësisht energji të gjelbër, falë hidrocentraleve dhe instalimit në rritje të paneleve diellore, është fakt se Shqipëria ka ende shumë për të bërë në një gamë të gjerë sektorësh që lidhen me këtë fushë: nga lufta kundër erozionit përmes pyllëzimit, te menaxhimi i mbetjeve – ku ka pasur shumë pak produkt real dhe shumë skandale – ndotja mjedisore e shkaktuar nga makinat e vjetra me lëndë djegëse fosile dhe mbrojtja e lumenjve dhe deteve.

Automjetet e reja me energji po ngarkohen në Zibo, në provincën Shandong të Kinës lindore, maj 2025. / Foto nga VCG
Në fund të fundit, zhvillimi i mëtejshëm dhe i qëndrueshëm i turizmit do të varet në masë të madhe nga një mjedis i pastër, energji e gjelbër dhe një stil jetese miqësor me natyrën. Në këtë drejtim, Shqipëria ka shumë për të mësuar nga përvoja dhe përparimi kinez. Por jo thjesht me retorikë.
Ajo që mungon në vendin tonë nuk janë fushatat boshe të “ndërgjegjësimit”, por mbështetja konkrete shtetërore që do të promovonte zhvillimin e gjelbër në industri, turizëm, mjedis, transport, si dhe në jetën e përditshme. Në këtë drejtim, rekomandimet për Planin e 15-të Pesëvjeçar të Kinës orientojnë përpjekje të qëndrueshme për ndërtimin e zonave kombëtare eksperimentale për ruajtjen ekologjike, krijimin e zonave pilot nën Nismën “Kina e Bukur” dhe nxitjen e shembujve pozitivë të zhvillimit të gjelbër.
Gjithashtu Rekomandimet udhëzojnë politika fiskale, tatimore, financiare, investimi, çmimesh, shkencore e teknologjike dhe mjedisore që nxisin zhvillimin e gjelbër dhe me karbon të ulët. Pikërisht këto dhe forma të tjera të mbështetjes shtetërore janë ato fusha për të cilat Shqipëria duhet të hedhë shumë më tepër se “një sy” nga përvoja kineze.
*Kryeredaktor i Albanian Daily News



