Këshilli i Lartë Gjyqësor ka shpallur hapjen e procedurës për komandimin e gjyqtarëve në pozicionin e ndihmësmagjistratit në Gjykatën e Lartë, duke ftuar gjyqtarët e interesuar të aplikojnë për katër vende vakante në Njësinë e Shërbimit Ligjor.
Vendimi është marrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor me vendimin nr. 263, datë 26 maj 2026, në mbështetje të legjislacionit për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe statusin e gjyqtarëve e prokurorëve.
Sipas njoftimit, komandimi do të ketë një kohëzgjatje prej pesë vitesh, ndërsa procedura parashikon edhe rastet kur ai mund të përfundojë përpara afatit, përfshirë dorëheqjen, masat disiplinore apo nevoja të lidhura me interesat e gjykatës ku ushtron detyrën gjyqtari.
KLGJ ka përcaktuar edhe kriteret bazë për kandidatët, ku ndër kushtet kryesore përfshihen mosqenia në një pozicion me mandat të kufizuar, mungesa e masave disiplinore në fuqi, si dhe shmangia e situatave të papajtueshmërisë ambientale apo konfliktit të interesit.
Ndër kriteret preferenciale renditen përvoja profesionale dhe specializimi në fushat administrative, civile ose penale, njohja e jurisprudencës kombëtare dhe ndërkombëtare, rezultatet akademike, njohja e gjuhëve të huaja të vendeve të Bashkimit Europian, si dhe aftësitë e arsyetimit juridik dhe komunikimit profesional.
Kandidatët duhet të paraqesin një sërë dokumentesh mbështetëse, përfshirë kërkesën për aplikim, CV-në, vetëdeklarimet përkatëse, dokumentacion mbi eksperiencën profesionale, certifikata gjuhësore dhe dokumente që provojnë njohuritë juridike dhe aftësitë profesionale.
Afati për dorëzimin e kërkesave është deri më 10 qershor 2026, ndërsa dokumentacioni duhet të depozitohet pranë Zyrës së Protokollit në Këshillin e Lartë Gjyqësor, në ambientet e “Polit të Drejtësisë” në Tiranë.



