Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, prezantoi më 4 nëntor raportin e progresit për Shqipërinë dhe vendet e tjera kandidate për anëtarësim në BE, duke vlerësuar përparimin e bërë nga Tirana zyrtare, por edhe duke nënvizuar nevojën për vijimin e reformave në fusha kyçe.
Gjatë prezantimit, Kos njoftoi se Bashkimi Evropian do të nisë një dialog për integrimin gradual me Shqipërinë dhe vendet kandidate, në kuadër të përpjekjeve për të përgatitur zgjerimin e Unionit.
Ajo theksoi se Mali i Zi mbetet vendi më i avancuar në procesin e integrimit dhe se synimi është anëtarësimi i tij në BE në vitin 2028.
“Do të nisim një dialog për integrimin gradual me Shqipërinë dhe vendet kandidate. Sot jemi në kushtet që mund të zgjerojmë Unionin. Vendi i parë që është në rrugën drejt integrimit është Mali i Zi. Vendet kandidate duam që të jenë në nivelin e duhur për integrimin. Mali i Zi do të bëhet pjesë e BE-së në vitin 2028”, deklaroi Kos.
Shqipëria, objektivi për mbylljen e negociatave në 2027
Sa i përket Shqipërisë, komisionerja për Zgjerimin vlerësoi ritmin e zbatimit të reformave dhe angazhimin e vendit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Sipas saj, Shqipëria ka shënuar përparim në zbatimin e reformave kyçe dhe këtë vit ka arritur një etapë të rëndësishme, duke përmbushur kriteret e ndërmjetme për grupkapitullin e parë, atë të “Themeloreve”.
Kos bëri të ditur se Shqipëria ka mbyllur përkohësisht katër kapituj negociues dhe po vijon punën për përmbushjen e kritereve përmbyllëse për kapituj të tjerë.
Megjithatë, ajo theksoi se për të përmbushur objektivin e mbylljes së negociatave deri në fund të vitit 2027, vendi duhet të ruajë ritmin e reformave dhe të përqendrohet te fushat që kanë rëndësi themelore për procesin e integrimit.
“Do të na duhet të shohim një vijimësi të përqendrimit te përparimi në fushat kyçe. Kjo është e rëndësishme që Shqipëria të përmbushë objektivin e saj ambicioz, por të arritshëm, për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”, u shpreh komisionerja.
Sundimi i ligjit, drejtësia dhe liria e medias në fokus
Në raportin për Shqipërinë, Kos vuri theksin te sundimi i ligjit, pavarësia e gjyqësorit, liria e medias dhe mbrojtja e të drejtave themelore, duke i cilësuar këto fusha si thelbësore për përparimin drejt anëtarësimit.
Ajo nënvizoi se këto reforma nuk janë të rëndësishme vetëm për përmbushjen e kritereve të BE-së, por edhe për shoqërinë shqiptare dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
Komisionerja kërkoi gjithashtu që Shqipëria të vendosë në prioritet çështjet mjedisore, duke theksuar se përparimi në këtë fushë është pjesë e rëndësishme e procesit të integrimit.
Mesazhi i saj për Tiranën ishte se përparimi i arritur duhet të shoqërohet me rezultate të qëndrueshme në reforma, veçanërisht në fushat që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike dhe shtetin e së drejtës.
Moldavia dhe Ukraina, hapa të mëtejshëm drejt BE-së
Gjatë prezantimit, Kos foli edhe për ecurinë e vendeve të tjera kandidate.
Për Moldavinë, ajo vlerësoi angazhimin e qeverisë pro-evropiane dhe përparimin e bërë në rrugën drejt integrimit, pavarësisht përpjekjeve për destabilizimin e vendit.
Megjithatë, komisionerja theksoi se Moldavia ka ende shumë punë për të bërë dhe se mund të përmbyllë kapitujt e negociatave deri në fund të vitit 2028, nëse vijon me zbatimin e reformave.
Sa i përket Ukrainës, Kos vlerësoi përpjekjet e vendit për të avancuar drejt Bashkimit Evropian, pavarësisht luftës.
Ajo theksoi se institucionet antikorrupsion të Ukrainës kanë dëshmuar se funksionojnë në mënyrë të pavarur dhe efektive, ndërsa kërkoi vijimin e reformave që lidhen me pavarësinë e drejtësisë.
Sipas saj, Ukraina mund të arrijë IBAR-in, raportin e ndërmjetëm për përmbushjen e kritereve në fushat themelore, dhe të bëjë hapa të mëtejshëm drejt integrimit që këtë vit.
Maqedonia e Veriut dhe Bosnja, ende përballë sfidave
Për Maqedoninë e Veriut, komisionerja theksoi se vendi duhet të tregojë rezultate konkrete në vijimin e reformave, duke nënvizuar nevojën për ndryshime kushtetuese.
Kos deklaroi se Bashkimi Evropian vijon të mbështesë Shkupin në rrugën evropiane, por përparimi i mëtejshëm varet nga hapat që do të ndërmarrë vetë vendi.
Ndërsa për Bosnjë-Hercegovinën, ajo vlerësoi rritjen e angazhimit për integrimin evropian, por shprehu shqetësim për shtimin e retorikës anti-BE.
Komisionerja kërkoi që Bosnja të vijojë punën me reformat, si kusht për avancimin në procesin e anëtarësimit.
Raporti i progresit i Komisionit Evropian shërben si një vlerësim i ecurisë së vendeve kandidate dhe përcakton fushat ku kërkohet përparim i mëtejshëm. Për Shqipërinë, objektivi i mbylljes së negociatave deri në fund të vitit 2027 mbetet i lidhur me zbatimin e reformave dhe arritjen e rezultateve të qëndrueshme në fushat themelore.



