Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar kërkesën e një grupi aktivistësh dhe qytetarësh për zhvillimin e një referendumi vendor për mbrojtjen e Parkut Rinia në Tiranë. Vendimi i KQZ-së i hap rrugë nismës që synon të kundërshtojë ndërtimin e kullës “Shatërvani i Tiranës” në një nga hapësirat e gjelbra në qendër të kryeqytetit.
Përmes këtij referendumi, qytetarëve të Tiranës do t’u jepet mundësia të shprehen drejtpërdrejt nëse janë pro apo kundër ndërtimit të kullës në territorin e Parkut Rinia.
Pyetja që do t’u drejtohet qytetarëve është: “A jeni dakord që të ndërtohet një kullë tek Parku Rinia?” Përgjigjet e parashikuara janë vetëm dy: PO dhe JO.
KQZ ka miratuar modelin e formularit që do të përdoret për mbledhjen e firmave në mbështetje të kësaj nisme, duke kaluar kështu në fazën e mbledhjes së firmave nga komiteti nismëtar.
Kërkesa është depozituar pranë KQZ-së më 5 tetor 2026 nga një komitet ku bëjnë pjesë Dorjan Teliti, Adriana Kalaja, Jamarbër Malltezi, Erges Eskiu, Xhulda Xheka, Agron Kuliçaj, si dhe aktivistë e qytetarë të tjerë.
Nisma vjen në një kohë kur projekti për ndërtimin e kullës ka nxitur kundërshtime për ndikimin që mund të ketë në hapësirat e gjelbra, trafikun dhe cilësinë e ajrit në kryeqytet. Përmes referendumit, organizatorët synojnë që vendimmarrja për të ardhmen e kësaj hapësire të mos mbetet vetëm në duart e institucioneve, por të kalojë edhe përmes votës së qytetarëve.
Projekti i studios daneze BIG
Debati për Parkun Rinia është intensifikuar edhe pas prezantimit të projektit të studios daneze BIG – Bjarke Ingels Group, e cila ka propozuar një ndërtesë të ngritur mbi nivelin e tokës, me volume të organizuara në mënyrë që, sipas konceptit të studios, të lirohet sa më shumë hapësirë në nivelin e parkut.
Projekti është konceptuar si një strukturë në formën e një “reje”, ku parashikohen hapësira për banim dhe punë, ndërsa poshtë ndërtesës do të krijohen zona të mbuluara, me hije dhe hapësira të aksesueshme për publikun.
Sipas studios BIG, ideja është që ndërtesa të mos ndërpresë plotësisht përdorimin publik të hapësirës, por të krijojë një hyrje të re drejt Parkut Rinia dhe ta lidhë atë me qytetin.
Një pjesë e konceptit lidhet edhe me ruajtjen e ujit dhe shatërvanit, elementë që studioja propozon t’i integrojë në një formë të re arkitekturore. Në projekt parashikohet që uji të ngrihet në strukturë dhe më pas të rikthehet në park në formën e një “shiu vere”, me synimin për të ndikuar edhe në mikroklimën e zonës gjatë muajve të nxehtë.
Megjithatë, pavarësisht argumenteve të studios për hapësirat publike dhe gjelbërimin, projekti ka hapur debat për të ardhmen e Parkut Rinia dhe kufirin mes zhvillimit urban dhe ruajtjes së hapësirave të gjelbra në Tiranë.
Me miratimin e modelit të formularit nga KQZ, nisma e referendumit hyn në një fazë të re, ndërsa mbledhja e firmave do të përcaktojë nëse qytetarët e kryeqytetit do të kenë mundësinë të votojnë për ndërtimin e kullës në Parkun Rinia.



