Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka komentuar protestat e ditëve të fundit në Tiranë, duke deklaruar se Policia e Shtetit është përballur me episode të dhunshme, ndërsa ka bërë të ditur se 9 efektivë janë pezulluar dhe 50 raste të përdorimit të forcës nga policia janë nën hetim nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Deklaratat u bënë gjatë diskutimit të projektbuxhetit 2027 në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ku ministri iu përgjigj edhe shqetësimeve për mënyrën se si policia ka menaxhuar protestat në kryeqytet.
Demo argumentoi se gjatë tubimeve ka pasur nivele të larta dhune, të cilat, sipas tij, kanë rrezikuar shëndetin e punonjësve të policisë. Ai theksoi se Policia e Shtetit ka detyrimin të garantojë të drejtën kushtetuese për protestë paqësore, por kjo, sipas ministrit, nuk duhet të përdoret për të justifikuar aktet e dhunshme.
“Policia e Shtetit është aty për të mbrojtur të drejtën kushtetuese dhe për ta garantuar të drejtën kushtetuese të kujtdo që do të protestojë paqësisht. Por është e padrejtë që ne, në kuadër të kësaj të drejte, të mbrojmë edhe dhunën, që është me doza të tejskajshme, që mund të japin dëmtime të rënda, siç kanë dhënë tek punonjësit e Policisë së Shtetit”, u shpreh Demo.
Ministri foli edhe për rastet kur gjatë protestave është përdorur forcë e tepruar nga efektivët e policisë, duke bërë të ditur se për këto episode janë marrë masa dhe kanë nisur hetimet.
Sipas tij, nëntë punonjës policie janë pezulluar për veprime individuale, ndërsa 50 raste të tjera janë aktualisht nën hetim nga AMP. Demo shtoi se Policia e Shtetit po bashkëpunon me Prokurorinë për rastet e referuara dhe se është e hapur për çdo hetim që lidhet me sjelljen e efektivëve gjatë protestave.
“Kemi 9 efektivë të pezulluar, për veprime individuale që kanë bërë, 50 raste janë nën hetim nga AMP, policia është duke bashkëpunuar me Prokurorinë për rastet e referuara. Jemi të hapur ndaj çdo hetimi, jemi të vendosur që t’i shkojmë në fund çdo rasti dhune ndaj policëve dhe institucioneve”, deklaroi ministri.
Në fund të diskutimit, Demo u ndal edhe te mbështetja financiare dhe logjistike për Policinë e Shtetit, duke e lidhur rritjen e pagave të efektivëve me nevojën për të garantuar dinjitetin e punonjësve dhe për të kërkuar standarde më të larta profesionale në ushtrimin e detyrës.
Ai theksoi se projektbuxheti parashikon mbështetje për policinë, jo vetëm përmes pagave, por edhe përmes pajisjeve dhe logjistikës së nevojshme për përmbushjen e funksioneve të saj.
“Mbështetja më e madhe për Policinë e Shtetit, qoftë me pagat, por edhe me të gjithë logjistikën e nevojshme për të ushtruar funksionet e saj dhe për të garantuar nivele më të larta të profesionalizmit”, përfundoi Demo.



