Gjykata Kushtetuese ka reaguar lidhur me gjetjet e raportit të Avokaturës së Shtetit për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) për periudhën janar-dhjetor 2025, duke kërkuar që raportimi institucional të jetë i plotë, objektiv dhe i saktë.
Në deklaratën e saj, Gjykata bën të ditur se është njohur me raportin e datës 23 qershor 2026, i cili i është dërguar Kuvendit të Shqipërisë dhe që pasqyron veprimtarinë e Avokaturës së Shtetit në lidhje me ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ-së ndaj shtetit shqiptar.
Gjykata vëren se në raport janë paraqitur edhe vlerësime mbi praktikën e saj pas vendimeve të GJEDNJ-së, përfshirë çështjet ku Strasburgu ka konstatuar shkelje të të drejtave të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Sipas Gjykatës, disa prej vlerësimeve të paraqitura në raport krijojnë perceptime të pasakta për gjendjen reale të zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së dhe për veprimtarinë e saj institucionale.
Gjykata thekson se, në respekt të parimit të ndarjes së pushteteve, ajo nuk vihet në lëvizje nga rekomandimet e institucioneve të tjera publike, përfshirë Avokaturën e Shtetit, dhe se detyrimi për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së buron drejtpërdrejt nga nenet 5, 17 dhe 122 të Kushtetutës.
Lidhur me çështjen e aksesit në gjykimin kushtetues dhe interpretimin e afatit për paraqitjen e ankimit kushtetues individual, Gjykata sqaron se pas vendimeve të GJEDNJ-së në çështje si “Ibrahimi dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, “Fortuzi kundër Shqipërisë” dhe “Ilia kundër Shqipërisë”, si dhe pas vendimit “Supergrav kundër Shqipërisë” të vitit 2023, ajo ka ndryshuar praktikën e saj.
Gjykata bën të ditur se tashmë, në rastet e ankimeve kushtetuese individuale, kërkon informacion zyrtar nga Gjykata e Lartë për mënyrën e komunikimit të vendimit objekt ankimi. Nëse nuk paraqiten prova për këtë komunikim, barra e provës nuk i kalon individit dhe ankimi konsiderohet i paraqitur brenda afatit ligjor.
Gjithashtu, Gjykata thekson se, në përputhje me detyrimin për zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së, sa herë që është konstatuar shkelje në procedurat e saj dhe palët kanë kërkuar rihapjen e procesit, ajo e ka rihapur atë pa rivënë në diskutim çështjet e shqyrtuara tashmë nga Gjykata Evropiane.
Për sa i përket standardit të arsyetimit të vendimeve, Gjykata kundërshton vlerësimin e paraqitur në raport për çështjen “Frroku kundër Shqipërisë”, duke theksuar se nuk është marrë parasysh fakti se çështja është shqyrtuar në një periudhë kur Gjykata funksiononte pa përbërjen e saj të plotë.
Gjykata nënvizon se praktika e saj ka ndryshuar prej vitit 2021 dhe se, në çdo rast kur nuk arrihet shumica e nevojshme për vendimmarrje, vendimet shoqërohen me arsyetimin përkatës, duke pasqyruar qëndrimet e ndara të gjyqtarëve dhe duke garantuar standardin e kërkuar nga jurisprudenca e GJEDNJ-së.
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese thekson rëndësinë e një raportimi institucional të saktë dhe të bazuar në informacion të plotë, duke nënvizuar se Avokatura e Shtetit, si institucion përgjegjës për përfaqësimin e shtetit shqiptar pranë GJEDNJ-së, duhet të disponojë informacion të plotë, të saktë dhe të përditësuar.
Gjykata rithekson angazhimin e saj për zbatimin e Kushtetutës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencës së GJEDNJ-së, duke garantuar mbrojtjen efektive të të drejtave dhe lirive themelore.



