Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar pas vendimit të autoriteteve shqiptare për ta shpallur Ikballe Hudutin “person të padëshiruar” në Shqipëri, duke i ndaluar hyrjen në territorin shqiptar për një periudhë 15-vjeçare, për arsye që lidhen me sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lamallari theksoi se shteti nuk ndërhyn ndaj qytetarëve që protestojnë, por do të veprojë ndaj çdo forme të nxitjes së urrejtjes dhe ekstremizmit.
“Jo! Jo vetëm nuk merremi me asnjë protestues si i tillë, por përpiqemi t’i dëgjojmë të gjithë ata që janë sinqerisht të shqetësuar. Por patjetër që do të merremi me çdo nxitës urrejtjeje dhe ekstremist, si kjo zonjë, që bindjet e saj mund t’i mbajë për vete jashtë Shqipërisë të paktën 15 vitet e ardhshme”, shkroi ministri.
Lamallari shtoi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s dhe me synimin për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, nuk ka vend për ideologji ekstremiste.
“Sepse në Shqipërinë, vend anëtar i NATO-s dhe së shpejti pjesë e Bashkimit Evropian, nuk ka vend për khameneizmin, i cili është baraz me terrorizmin, ekstremizmin dhe obskurantizmin”, u shpreh ai.
Ministri reagoi edhe ndaj përmendjes së emrit të Kryeministrit të Kosovës nga Huduti, duke e cilësuar këtë si të papranueshme.
“Një turp më vete edhe përzierja e emrit të kryeministrit të nderuar të Kosovës në përroin psiqik të kësaj zëdhënëseje të një shteti të shpallur me konsensus shtet terrorist nga Kuvendi i Shqipërisë”, përfundon reagimi i Lamallarit.



