back to top
24.8 C
Tirana
E premte, 26 Qershor, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaPas vrasjes në sallën e gjyqit/ Gruaja e Astrit Kalasë apel ministrit...

Pas vrasjes në sallën e gjyqit/ Gruaja e Astrit Kalasë apel ministrit Gogu

Shkak u bë një postim në rrjetet sociale i ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, i cili publikoi pamje nga inspektimi i punimeve për ndërtimin e burgut të ri në Kukës.

Në komentin e saj, Valbona Kalaja i kërkon ministrit që të investojë në ndërtimin e një godine të re për Gjykatën e Apelit në Tiranë, duke theksuar se kushtet e godinës aktuale janë të papërshtatshme dhe se kjo ishte një nga shqetësimet e vazhdueshme të bashkëshortit të saj.

“Zoti ministër, filloni ndërtimin e një Gjykate të re të Apelit në Tiranë, sepse kushtet e kësaj gjykate janë skandaloze. Para një jave një e afërme kishte një gjyq dhe m’u desh ta shoqëroja. Më dhimbsen ata gjyqtarë që punojnë në ato kushte. Bashkëshorti im e dëshironte gjithë kohës një gjykatë të re, pasi në Shkodër punonte në një gjykatë me standarde evropiane dhe e mendoj shpesh se, po të ishte me punë në Shkodër, kurrë s’do t’i ndodhte ajo që i ndodhi. E meritojnë ata njerëz të punojnë në kushte normale, sepse kanë një punë të vështirë mbi supe”, shkruan ajo.

Reagimi i saj vjen disa muaj pasi Astrit Kalaja u qëllua për vdekje me tre plumba brenda sallës së gjyqit. Autor i dyshuar i krimit është Elvis Shkambi, i cili dyshohet se qëlloi gjyqtarin menjëherë pasi u shpall vendimi në një proces gjyqësor që lidhej me një konflikt pronësie dhe që prekte interesat e xhaxhait të tij.

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, iu përgjigj publikisht komentit të Valbona Kalasë, duke shprehur respekt për figurën e gjyqtarit të ndjerë dhe duke garantuar se përmirësimi i infrastrukturës gjyqësore mbetet një nga prioritetet e institucionit që ai drejton.

“E nderuar zonjë Valbona Dema Kalaja, faleminderit për mesazhin tuaj. E kujtoj me respekt dhe nderim kontributin e të ndjerit Astrit dhe e kuptoj shumë mirë shqetësimin që ngrini. Përmirësimi i infrastrukturës gjyqësore është një nga objektivat ku po punojmë me institucionet përgjegjëse. Nuk është një punë që bëhet brenda natës, por është një angazhim që e konsideroj të rëndësishëm. Ju falënderoj për ngritjen e shqetësimit”, shkroi ministri Gogu.

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja konsiderohet një nga ngjarjet më të rënda që ka goditur sistemin e drejtësisë në Shqipëri, ndërsa reagimi i bashkëshortes së tij ka rikthyer në vëmendje debatin për kushtet e punës dhe sigurinë e gjyqtarëve në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat