Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar se lista e personave që mund të shpallen “non grata” nga qeveria shqiptare mund të zgjerohet, nëse ata konsiderohen rrezik për sigurinë kombëtare.
Në një intervistë për Euronews Albania, Lamallari u shpreh se çdo javë në tryezën e tij mbërrijnë dhjetëra kërkesa nga agjencitë ligjzbatuese, të cilat shqyrtohen në kuadër të masave për mbrojtjen e sigurisë në vend.
Sipas ministrit, bëhet fjalë për një proces të vazhdueshëm që lidhet me persona të përfshirë në krim të organizuar, krime të rënda, mashtrime apo shantazhe ndaj qytetarëve shqiptarë.
Lamallari theksoi se pjesëmarrja e këtyre personave në protesta nuk do të ndikojë në vendimmarrjen e institucioneve.
“Nëse qëllon që këta persona, krahas aktivitetit të tyre të përditshëm, marrin pjesë edhe në protestë, kjo nuk do të thotë që ne do të stepemi. Detyra jonë është të bëjmë zbatimin pikë për pikë të ligjit”, u shpreh ai.
Ministri shtoi se Policia e Shtetit duhet të ushtrojë detyrën e saj pa u ndikuar nga presioni publik apo debatet politike.
“Policia e Shtetit duhet të jetë në krye të detyrës dhe të mbrojë qytetarët shqiptarë, pa u stepur nga presioni publik apo gjykimet e ndryshme. Kjo është detyra ime dhe e qeverisë shqiptare. Mbi të gjitha prevalon interesi publik”, deklaroi Lamallari.
Deklarata e ministrit vjen në një kohë kur qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa për ndalimin e hyrjes në territorin shqiptar të disa shtetasve të huaj, të cilët autoritetet i konsiderojnë rrezik për rendin dhe sigurinë kombëtare.



