Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka reaguar në rrjetet sociale me një deklaratë të gjatë drejtuar protestuesve, ku paralajmëron për zhvillimet politike dhe diskutimet mbi një qeveri tranzitore.
Malaj u bën thirrje protestuesve të “bëjnë shumë kujdes”, duke vlerësuar se gatishmëria e Sali Berishës për të votuar menjëherë në Parlament një qeveri tranzitore përbën, sipas tij, “thikë pas shpine për protestën” dhe për idenë e një “Shqipërie të re”.
Sipas tij, situata aktuale politike mbështetet në një marrëveshje të vjetër mes dy poleve kryesore të politikës shqiptare, të cilën ai e konsideron si pengesë për ndryshime reale demokratike që prej reformës kushtetuese të vitit 2008.
Në deklaratën e tij, Malaj thekson nevojën për një “Kushtetutë të Shqipërisë së Re”, e cila sipas tij duhet të sjellë kufizim mandatesh për politikanët deri në dy mandate pa të drejtë rikthimi, si dhe reforma të thella në disa fusha kyçe të shtetit.
Ai propozon gjithashtu kufizim të pronësisë në media për bizneset që përfitojnë nga fondet qeveritare, si dhe ndalim të ndikimit të interesave të tilla në hapësirën mediatike.
Ndër propozimet e tjera përmenden edhe kufizimi i mandateve në shërbimet sekrete, ndalimi i promovimit të familjarëve në institucione të sigurisë, si dhe përgjegjësia financiare për zyrtarët që shkaktojnë largime të padrejta nga administrata publike, pas vendimeve gjyqësore të formës së prerë.
Malaj sugjeron gjithashtu kufizim mandatesh për drejtuesit akademikë si rektorët, zv/rektorët dhe dekanët, duke argumentuar se rotacioni institucional është i domosdoshëm për funksionimin demokratik të shtetit.
Në përfundim të reagimit të tij, ai thekson se reforma kushtetuese duhet të mbështetet mbi tre shtylla kryesore: kuadrin ligjor, integritetin institucional dhe kufizimin e mandateve në të tre pushtetet – legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.



