back to top
5.5 C
Tirana
E hënë, 2 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuAktualitetKosovaNjë letër ia shpëtoi jetën: Rrëfimi i Selvisë për triumfin kundër kancerit...

Një letër ia shpëtoi jetën: Rrëfimi i Selvisë për triumfin kundër kancerit të gjirit

Në fundqershor të vitit 2021, në derën e shtëpisë së Selvie Shkreli Hasanit erdhi një letër që e ftonte për të bërë një mamografi – ekzaminim me rreze X që përdoret për të zbuluar sëmundje të gjirit, si kanceri.

Me ta marrë letrën, Selvia nuk e mendoi gjatë se çfarë mund të ndodhte. Letrat e tilla u shkonin të gjitha grave mbi moshën 50 vjeçe në Londër të Anglisë, ku ajo po jetonte.

Për më tepër, ajo nuk kishte pasur asnjë shenjë se mund të kishte kancer gjiri dhe nuk i ishte shfaqur asnjë problem as në kontrollet e rregullta shëndetësore.

Por, dy-tri ditë pas kontrollit fillestar, ajo u ftua sërish për një ekzaminim.

“Më thanë që kur të vish javën tjetër për t’i marrë rezultatet, merre dikë me vete”, kujton ajo për Radion Evropa e Lirë.

Selvia kishte parë se çfarë mund t’i bënte sëmundja e kancerit një njeriu. Në vitin 2019 i kishte vdekur nëna nga kanceri, ndërsa më parë i kishte vdekur edhe babai nga po kjo sëmundje.

Kur u diagnostikua me kancer të gjirit, në fazën e tretë, ajo e dinte se çfarë mund ta priste. Por, qysh në zyrën e mjekut ku e mori lajmin, ajo dhe burri i saj nisën një luftë me plot optimizëm.

“Normalisht që është lajm i vështirë. Por, për fat të mirë e pata burrin afër vetes dhe ai i tha mjekut ‘do ta mposhtim’. Aty për aty. Menjëherë aty ka filluar lufta jonë”, thotë Selvia, nënë e dy djemve.

Selvia nuk e kishte zbuluar kancerin e gjirit në fazat e hershme, siç quhen faza e parë dhe faza e dytë.

Ajo thotë se po të mos e kishte marrë ftesën për mamografi, do t’i duhej edhe më shumë kohë për ta marrë vesh.

“Po të mos e kisha marrë atë letër, ndoshta edhe do të përfundoja shumë keq, sepse nuk kam pasur asnjë shenjë që kam diçka”, thotë Selvia.

Selvia – e cila e mposhti sëmundjen e saj pas dy vjetësh plot trajtime – tani udhëzon çdo grua që takon, që të bëjë kontrolle të rregullta.

“Gjithkujt i them t’i bëjë kontrollet me rregull, ta kontrollojë veten, të merret me shëndetin e vet. Nëse ndodh diçka, kjo nuk do të thotë se është fundi i botës. Sot është zhvilluar mjekësia”, shton ajo.

Gratë në Kosovë nuk marrin letra si Selvia në Angli për të bërë mamografi. Të dhënat e një studimi të vitit 2022 nga zyra e organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung në Prishtinë tregojnë se pothuajse gjysma e grave në Kosovë nuk janë të vetëdijshme për procedurat e detektimit të hershëm të sëmundjeve malinje.

Instituti Kombëtar amerikan i Kancerit i definon sëmundjet malinje si sëmundje që shkaktohen kur qeliza anormale ndahen pa kontroll dhe mund të shpërndahen nëpër trup. Sëmundje malinje janë, për shembull, kanceri dhe leukemia.

Studimi i organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung tregon, po ashtu, se niveli i informimit dallon në rajone të ndryshme të Kosovës.

Sipas Shoqërisë Amerikane për Kancer, kur kanceri i gjirit zbulohet në fazat e hershme, gjasat për t’i mbijetuar sëmundjes janë shumë më të larta.

Edhe pse prek edhe burrat, kanceri i gjirit është më i shpeshtë në mesin e grave. Në vitin 2022 u raportuan mbi 2.2 milionë raste të reja të kancerit të gjirit në mesin e grave në botë.

Ndërkohë, gjatë muajve janar-shtator të këtij viti, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë trajtuar gjithsej 335 raste me kancer të gjirit, prej të cilave vetëm tre ishin burra.

“Pesëdhjetë e dy për qind e rasteve janë diagnostikuar në fazën e hershme, çka tregon për ndërgjegjësimin në rritje ndaj kancerit të gjirit në Kosovë”, thuhet në një njoftim të QKUK-së të këtij muaji, që njihet si muaj i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjet e REL-it lidhur me planin për të rritur shkallën e informimit për procedurat e detektimit të hershëm të kësaj sëmundjeje.

Edhe pse vetë nuk e kishte detektuar sëmundjen në fazat e hershme, Selvia arriti ta fitonte luftën dyvjeçare me kancerin e gjirit.

Ajo beson se në fitoren e saj ndihmoi optimizmi që e shoqëroi gjatë gjithë luftës, i mundësuar nga përkrahja që ndiente nga të gjithë që kishte përreth, veçanërisht nga bashkëshorti i saj.

“Kur kam shkuar për të marrë kimioterapinë, kam shkuar duke dëgjuar muzikë. Nuk e kam menduar kurrë në jetë që do të vdes apo që do të ndodhë diçka e keqe me mua. Kur e kam marrë kimioterapinë, kam dalë të ec, ta pi një kafe. S’doja t’i them vetes që duhet të pushoj ose s’po ndihem mirë”, thotë Selvia.

Ajo shpreson se edhe personat e tjerë që diagnostikohen me kancer, do ta marrin mbështetjen që ajo kishte marrë prej familjes së saj, pasi që thotë se, në rastet kur ndihmë financiare nuk mund të ofrohet, “ndihmën emocionale mund t’ia japë secili secilit”.

Selvia i vazhdon ende kontrollet e rregullta, por nuk i frikësohet rrezikut se sëmundja mund t’i kthehet.

“Dal dhe ec shumë, flas, qesh shumë, e disponoj veten. Më duket se nuk do ta lejoj kurrë më të më afrohet kanceri. S’e lejoj të vijë edhe një herë tek unë”, thotë ajo, duke qeshur.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat