Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asociim Shqipëri–Bashkimi Evropian nuk arriti të miratojë një rezolutë të përbashkët në mbledhjen e zhvilluar sot në Strasburg.
Drafti mori mbështetjen e deputetëve socialistë dhe eurodeputetëve, por nuk u votua nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike, duke mbyllur mundësinë e një konsensusi mes palëve.
Në tekstin e përgatitur nga Sekretariati i Komitetit Parlamentar ishin përfshirë edhe Rezoluta e Parlamentit Evropian dhe ajo e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sipas socialistëve, kjo e bënte të panevojshme paraqitjen e amendamenteve të reja.
“Përsëritja e përmbajtjes së këtyre dy rezolutave, duke hequr pjesët që evidentojnë qartë ecurinë pozitive të Shqipërisë në këtë rrugëtim, nuk kishte kuptim politik, as logjikë institucionale dhe as vlerë shtesë për tekstin e përbashkët”, deklaruan deputetët socialistë.
Sipas PS-së, një pjesë e amendamenteve të propozuara nga Partia Demokratike u votuan, në frymën e bashkëpunimit që duhet të karakterizojë procesin e integrimit evropian.
“Deputetët e Partisë Socialiste votuan një pjesë të amendamenteve të Partisë Demokratike, edhe pse këto formulime nuk pasqyronin dokumentet e një parlamenti socialist”, thuhet në reagimin e socialistëve.
Nga ana tjetër, demokratët argumentuan se votuan kundër, pasi shumica socialiste refuzoi 30 amendamente të propozuara nga PD-ja, të cilat sipas tyre lidhen me kriteret për avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Në reagimin e saj, PD akuzoi mazhorancën se nuk pranoi propozimet që lidhen me luftën kundër korrupsionit, zbatimin e vendimeve të gjykatave, kontrollin institucional, transparencën dhe llogaridhënien.
“Mazhoranca votoi kundër propozimeve që synonin intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, heqjen dorë nga mbrojtja politike që u ofrohet zyrtarëve të akuzuar për korrupsion dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit institucional”, deklaroi grupi parlamentar i PD-së.
Përplasja mes dy forcave politike në Strasburg la pa një dokument të përbashkët Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, i cili synon të monitorojë dhe të mbështesë procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.



