back to top
6.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuOpinion dhe AnalizëPensionistët, protagonistë të vonuar të mediave: Ku ishit deri tani?

Pensionistët, protagonistë të vonuar të mediave: Ku ishit deri tani?

Nga Elisa Dedja

Kohët e fundit, mediat janë bërë pasqyrë e një fenomeni të ri, apo më saktë të një fenomeni të vjetër që sapo është zbuluar rishtas: pensionistët. Papritur, figura e tyre ka nisur të lëshohet nga çdo ekran, nga çdo faqe portalesh dhe nga çdo karrige emisionesh. Pse, vallë, gjithë ky interes tani? Çfarë ka ndryshuar për të vjetrit tanë që qëndrojnë stoikë në fund të rrugëve dhe në cep të kafeneve, me të njëjtat shifra pensioni dhe me të njëjtat probleme? Përgjigja është e thjeshtë: reforma për pensionistët.

Një nga pyetjet që do të ngrihej natyrshëm është: pse nuk u fol për ta para një jave, para një muaji apo para një viti? Sigurisht, pensionistët kanë qenë aty gjithmonë, me të njëjtat ankesa, me të njëjtat luhatje mes përballimit të jetesës dhe mbijetesës. Por ndoshta, përmes dritares së televizionit, nuk ofronin mjaftueshëm “audiencë.” Problemet e tyre, që datojnë prej dekadash, u risollën në qendër të vëmendjes vetëm pas programit të ri qeveritar, një ndërhyrje strategjike që i dha zë asaj kategorie.

Kjo, natyrisht, ngre një pyetje tjetër që rëndom mbetet pa përgjigje: pse mediat dhe gazetarët, të cilët shpesh krekosen për rolin e tyre investigues, nuk vendosin të shkojnë më thellë? Le të mos ndalemi vetëm tek pensionistët, por të vërejmë kompanitë që nuk deklarojnë fitimet e vërteta, që shpesh nuk japin as kontributin e duhur në skemat e sigurimeve, e që për pasojë kanë krijuar hendekë të mëdhenj për grupet më të dobëta të shoqërisë. Një gjurmim që të shpjegojë se si këto biznese deklarojnë një punonjës, ndërkohë që realisht punësojnë pesë; se si krijojnë struktura fiktive për të shmangur taksat, duke mbajtur në vend numëro reformën sociale.

Por investigimi serioz kërkon kohë, përpjekje, dhe mbi të gjitha një vullnet të vërtetë për të ndryshuar. Dhe, ndoshta, një zë i fuqishëm që del nga pensionistët nuk është një lajm kaq i madh sa të nxjerrësh në pah fshehjet e të ardhurave të kompanive private, të cilat me një lëvizje të mirëfilë fshihen pas fasadave financiare dhe bilanceve boshe.

Në fund, ajo që mbetet e rëndësishme është kjo: pensionistët janë këtu dhe do të mbeten këtu, gjithnjë të vendosur për të jetuar me dinjitet. Po, ata kanë qenë këtu edhe një javë më parë, madje vite të tëra më parë. Dhe nëse do të bëjmë një ndryshim të vërtetë për ta, ndoshta do të duhet të shohim përtej projektorëve dhe kamerave, të kërkojmë më thellë e të pyesim për atë që, deri tani, shumica është përpjekur të mos shohë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat