Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryeministri Edi Rama ka shmangur komentet konkrete për përplasjen e fundit me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke i cilësuar polemikat dhe deklaratat e tij si të parëndësishme.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ambasadoren e Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa, Rama u pyet në lidhje me pretendimet e Veliajt se është kërcënuar prej tij, si dhe nëse kryebashkiaku qëndron pas protestave të fundit që kanë përfshirë Tiranën.
Gazetarja i kujtoi kryeministrit se qeveria po përballet me protesta dhe kundërshtime, ndërsa brenda Partisë Socialiste duket se është ndezur edhe një përplasje e brendshme, duke iu referuar konfliktit me Veliajn.
Por Rama nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë për akuzat dhe pretendimet e kryebashkiakut. Ai e zhvendosi vëmendjen te raporti i progresit të Bashkimit Europian, duke e cilësuar atë si një pasqyrë të punës së qeverisë dhe duke pretenduar se Shqipëria ka bërë përparim të madh në procesin e integrimit.
Sipas kryeministrit, qeveria është në krye të detyrës dhe vijon punën me objektivin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në fund, Rama përdori një krahasim ironik për të shmangur më tej komentet mbi situatën politike dhe përplasjen me Veliajn.
“Të tjerat janë si zhurma e makinave që vijnë e shkojnë në bulevard. Sa të rëndësishme janë ato për ju, aq janë edhe këto për mua”, u shpreh Rama.
Kështu, kryeministri nuk iu përgjigj drejtpërdrejt as pyetjes nëse e ka kërcënuar Veliajn, as pretendimit nëse kryebashkiaku qëndron pas protestave, duke i lënë pa koment akuzat që kanë nxitur debatet e fundit brenda mazhorancës.



