KreuAktualitetEkonomiaMiliarda nga taksat e shqiptarëve/ Qeveria zbulon ku do t'i shpenzojë në...

Miliarda nga taksat e shqiptarëve/ Qeveria zbulon ku do t’i shpenzojë në 2027

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat projektbuxhetin e vitit 2027, i cili parashikon rritje të të ardhurave dhe shpenzimeve publike, si dhe më shumë fonde për pensionet, shëndetësinë, arsimin dhe investimet.

Sipas projektit të paraqitur nga Malaj, të ardhurat buxhetore për vitin e ardhshëm parashikohen në 907.9 miliardë lekë, rreth 9.4 miliardë euro, ose 30.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërsa shpenzimet totale pritet të arrijnë në 976.1 miliardë lekë, ekuivalente me 33.3% të PBB-së.

Krahasuar me planin e rishikuar të vitit 2026, shpenzimet parashikohen të rriten me 69.3 miliardë lekë, rreth 700 milionë euro. Diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve përbën deficitin buxhetor të planifikuar.

Pjesën kryesore të të ardhurave pritet ta sigurojnë tatimet dhe doganat, me 583.5 miliardë lekë, ose 46.8 miliardë lekë më shumë se pritshmëritë për vitin 2026.

Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet shoqërore dhe shëndetësore parashikohen në 210.3 miliardë lekë, me një rritje prej 4.5%.

Në prezantimin e tij, ministri u ndal edhe te të ardhurat nga taksat kryesore. TVSH-ja pritet të gjenerojë 275.4 miliardë lekë, me rritje 10.2% krahasuar me vitin 2026. Tatimi mbi fitimin parashikohet në 62.1 miliardë lekë, akcizat në 80.6 miliardë lekë, ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale në 107.4 miliardë lekë.

Një nga ndryshimet e Paketës Fiskale 2027 është ulja e pragut të regjistrimit për TVSH-në nga 10 milionë në 5 milionë lekë, duke filluar nga 1 janari 2027.

20 miliardë lekë për bonusin e pensionistëve

Një pjesë e konsiderueshme e shpenzimeve do të shkojë për politikat sociale dhe skemën e pensioneve. Për fondet speciale janë parashikuar 313.9 miliardë lekë, ndërsa Skema e Sigurimeve Shoqërore do të financohet me 215.6 miliardë lekë.

Për indeksimin dhe politikat e reja të pensioneve janë rezervuar rreth 4 miliardë lekë, ndërsa 20 miliardë lekë janë parashikuar për bonusin mujor të pensionistëve.

Sipas parashikimeve të ministrisë, në fund të vitit 2027 numri i pensionistëve pritet të arrijë në rreth 805 mijë persona, ndërsa sistemi do të mbështesë afërsisht 850 mijë përfitues.

Për ndihmën ekonomike dhe pagesat për personat me aftësi të kufizuara janë planifikuar 27.2 miliardë lekë. Gjithashtu, do të nisë zbatimi i skemës së re të bonusit të bebes, me pagesa mujore për fëmijët deri në moshën 5-vjeçare.

Projektbuxheti parashikon edhe 870 milionë lekë për mbështetjen e grave të papuna me tre ose më shumë fëmijë, ku njëri prej tyre është nën moshën 5 vjeç.

Shëndetësia, 70.8 miliardë lekë për skemën e sigurimeve

Në sektorin e shëndetësisë, Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të financohet me 70.8 miliardë lekë. Fondet do të përdoren për kujdesin parësor, rimbursimin e barnave, trajtimet spitalore dhe paketat e specializuara mjekësore.

Për vitin 2027 parashikohet financimi i rreth 7.4 milionë vizitave në kujdesin parësor dhe rimbursimi i barnave për rreth 400 mijë pacientë. Në plan është edhe zgjerimi i mbështetjes për pacientët me diabet, si dhe financimi i paketave të kardiologjisë, onkologjisë, dializës dhe fertilitetit.

200 miliardë lekë për investime publike

Investimet publike janë një tjetër zë i rëndësishëm i projektbuxhetit, me një fond të parashikuar prej 200.3 miliardë lekësh, ose 6.9% të PBB-së. Brenda këtij fondi përfshihen edhe 14.1 miliardë lekë financime të pritshme nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor.

Investimet kryesore do të përqendrohen te infrastruktura rrugore dhe hekurudhore. Mes projekteve të përmendura janë aksi Elbasan-Lekaj, bypass-i i Elbasanit, zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës dhe linja Vorë-Hani i Hotit.

Për arsimin janë parashikuar gjithashtu investime prej 5.6 miliardë lekësh, ndërsa do të vijojë mbështetja për tekstet falas për 215 mijë nxënës, transportin për 38 mijë nxënës dhe 17 mijë mësues, si dhe bursat për rreth 4 mijë nxënës nga familjet në nevojë.

Ndërkohë, për shpenzimet e personelit janë parashikuar 148.5 miliardë lekë, ku përfshihen edhe 3.7 miliardë lekë për politikat e reja të pagave në sektorët prioritarë.

Për shpenzimet operative dhe mirëmbajtjen janë planifikuar 89.2 miliardë lekë. Nga kjo shumë, 12.9 miliardë lekë do të shkojnë për arsimin e lartë, 7.9 miliardë për teknologjinë e informacionit dhe sigurinë kibernetike, 5.3 miliardë për fermerët dhe zhvillimin rural, si dhe 3.6 miliardë lekë për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar.

Ministri Petrit Malaj deklaroi se projektbuxheti synon ruajtjen e ekuilibrave makroekonomikë, uljen graduale të borxhit publik dhe mbështetjen e rritjes ekonomike. Dokumenti tashmë do të vijojë shqyrtimin në Kuvend përpara miratimit përfundimtar.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat