KreuDrejtësiaDosja hetimore në duart e të pandehurit që në nisje të akuzës/...

Dosja hetimore në duart e të pandehurit që në nisje të akuzës/ Prokurorët: Rrezikohen dëshmitarët dhe provat

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Shoqata e Prokurorëve ka ngritur shqetësime për ndryshimet e propozuara në nenin 24 të Kodit të Procedurës Penale, të cilat parashikojnë që të gjitha provat dhe aktet e një procedimi penal t’i vihen në dispozicion të pandehurit që në momentin e njoftimit të akuzës, ndërsa çdo provë e re t’i komunikohet menjëherë.

Në analizën e saj, Shoqata argumenton se një mekanizëm i tillë mund të cenojë efektivitetin e hetimeve, veçanërisht në çështjet komplekse ku identifikimi i personave të përfshirë, mbledhja e provave dhe përdorimi i metodave të posaçme hetimore janë ende në zhvillim.

Sipas prokurorëve, në modelin aktual procedural, njoftimi i akuzës mund të bëhet edhe në një fazë kur hetimi nuk ka përfunduar ende. Për këtë arsye, vënia në dispozicion e të gjithë materialit hetimor në atë moment mund të ekspozojë informacione që duhet të mbeten konfidenciale deri në përfundimin e veprimeve përkatëse.

Si shembull, Shoqata sjell një hetim për korrupsion ku janë të përfshirë disa persona. Nëse dosja e plotë i vihet në dispozicion njërit prej të pandehurve që në fazat e para, ai mund të marrë dijeni për dëshmitarët, burimet e informacionit dhe verifikimet që po kryhen ndaj personave të tjerë, të cilët mund të mos jenë ende në dijeni të hetimit.

Sipas analizës, njoftimi i menjëhershëm i çdo prove të re mund të krijojë mundësi për koordinimin e deklarimeve mes personave të përfshirë, ndikimin te dëshmitarët apo edhe fshehjen dhe manipulimin e provave.

Një tjetër pikë e kundërshtuar lidhet me parashikimin që materialet e kërkuara të bëhen automatikisht të aksesueshme nëse gjykata nuk merr një vendim brenda 48 orëve.

Shoqata e Prokurorëve vlerëson se kalimi i këtij afati nuk do të thotë domosdoshmërisht se rreziku për hetimin, dëshmitarët apo viktimat ka pushuar. Për rrjedhojë, sipas saj, aksesi automatik në materiale mund të cenojë sigurinë e personave dhe vijimin e hetimeve.

Kritika ngrihen edhe ndaj kërkesës për miratim gjyqësor të aksesit në materiale, edhe në rastet kur vetë prokurori e pranon kërkesën e mbrojtjes. Sipas Shoqatës, një procedurë e tillë shton hapa burokratikë pa pasur një mosmarrëveshje mes palëve që të kërkojë ndërhyrjen e gjykatës.

Në vend të ndryshimeve të propozuara, prokurorët kërkojnë ruajtjen e modelit aktual, i cili parashikon njohjen e shkallëzuar me aktet gjatë hetimit, aksesin në materialet që mbështesin kërkesën për masë sigurimi dhe njohjen e plotë të dosjes në përfundim të hetimeve.

Ky mekanizëm, sipas tyre, i jep mbrojtjes mundësinë të kundërshtojë provat dhe të kërkojë kryerjen e veprimeve të tjera hetimore, pa cenuar ndërkohë procesin e mbledhjes së provave.

Në përfundim, Shoqata e Prokurorëve thekson se e drejta e mbrojtjes dhe efektiviteti i hetimit duhet të garantohen njëkohësisht. Sipas saj, barazia e armëve nuk nënkupton domosdoshmërisht që prokuroria dhe mbrojtja të kenë të njëjtin informacion në çdo moment të hetimit.

Kufizimet e përkohshme të aksesit në materialet hetimore, argumenton Shoqata, duhet të jenë të arsyetuara, proporcionale dhe nën kontroll, në mënyrë që të mos cenojnë as të drejtat e të pandehurit dhe as sigurinë e personave të përfshirë dhe ruajtjen e provave.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat