KreuAktualitetPolitikaVetëm harta u miratua, reforma mbetet përgjysmë/ Pikëpyetje për bashkitë e reja

Vetëm harta u miratua, reforma mbetet përgjysmë/ Pikëpyetje për bashkitë e reja

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Reforma e re territoriale u miratua në Kuvend pa konsensus politik dhe mes kundërshtimeve, por procesi mbetet i paplotë. Instituti i Studimeve Politike (ISP) vëren se deri tani është miratuar vetëm harta e re e ndarjes territoriale, ndërsa dy ligjet e tjera që duhet të plotësojnë reformën, ai për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore dhe ligji për buxhetin vendor, ende nuk janë hartuar.

Sipas ISP-së, ndryshimi i hartës nuk mund të konsiderohet reformë e përfunduar, pasi kompetencat, përgjegjësitë dhe financimi i njësive të reja vendore mbeten për t’u përcaktuar. Për këtë qëllim pritet të ngrihet një tjetër komision, çka nënkupton se procesi do të kërkojë kohë deri në përcaktimin e efekteve reale të ndryshimeve.

Një tjetër problem i evidentuar lidhet me mospërputhjet e mundshme mes legjislacionit aktual dhe ligjit të ri për ndarjen territoriale. Sipas analizës së ISP-së, ligji në fuqi i njeh bashkitë dhe qarqet si njësi të qeverisjes vendore dhe i trajton bashkitë si njësi administrativo-territoriale, ndërsa ligji i ri përdor konceptin e qyteteve përbërëse të bashkive.

Nëse ndarja e re hyn në fuqi pa u harmonizuar pjesa tjetër e legjislacionit, mund të krijohen përplasje ligjore mes emërtimeve dhe organizimit aktual të njësive vendore dhe modelit të ri.

Përfaqësimi i bashkive të shkrira, një tjetër pikëpyetje

ISP ngre pikëpyetje edhe për mënyrën se si do të garantohet përfaqësimi i banorëve të bashkive që shkrihen dhe përfshihen në njësi më të mëdha.

Ligji i ri parashikon që organizimi dhe përfaqësimi i bashkisë të mbështeten në parimin e përfaqësimit proporcional të qyteteve përbërëse, në raport me popullsinë e tyre. Në praktikë, kjo mund të nënkuptojë një mekanizëm për përfaqësimin e banorëve të një bashkie të shkrirë, si Maliqi, në këshillin bashkiak të Korçës.

Megjithatë, sipas ISP-së, kjo formulë mbetet e paqartë për sa i përket zbatimit konkret dhe rrezikon të mbetet një premtim politik, nëse nuk shoqërohet me mekanizma të qartë ligjorë.

Instituti vlerëson se një çështje e tillë duhej të trajtohej në Kodin Zgjedhor dhe në ligjin e ri për qeverisjen vendore, dhe jo vetëm në ligjin që përcakton hartën territoriale. Ndërkohë, reforma zgjedhore zhvillohet në një komision të veçantë, ku vendimmarrja kërkon konsensus politik, ndryshe nga procesi i ndarjes territoriale.

ISP kërkon harmonizim të ligjeve

Instituti i Studimeve Politike ka monitoruar punën e dy komisioneve parlamentare dhe ka zhvilluar nisma për bashkëpunim ndërinstitucional, përfshirë tryeza pune në shkurt të vitit 2026. Instituti bën me dije se do të vijojë të adresojë gjetjet dhe rekomandimet e tij për procesin.

Në këtë kuadër, ISP i kërkon Kuvendit që ligjet e rëndësishme të shoqërohen me komente shpjeguese, të cilat sqarojnë termat, konceptet dhe dispozitat që mund të interpretohen në mënyra të ndryshme.

Sipas institutit, kjo është veçanërisht e nevojshme për reforma të mëdha dhe legjislacionin sektorial, përfshirë organizimin e qeverisjes vendore dhe Kodin e ri Zgjedhor.

Në këto kushte, miratimi i hartës së re territoriale përbën vetëm një etapë të procesit. Pa ligjet shoqëruese dhe pa përcaktimin e qartë të kompetencave, financimit dhe përfaqësimit, mbetet e paqartë se si do të funksionojë në praktikë modeli i ri i qeverisjes vendore.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat