back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024
spot_img
KreuAktualitetRajoniProgres-raporti për Maqedoninë e Veriut/ Mickoski: Asnjë përgjegjësi për ngecjen e negociatave

Progres-raporti për Maqedoninë e Veriut/ Mickoski: Asnjë përgjegjësi për ngecjen e negociatave

Qytetarët janë të lodhur nga i gjithë procesi i anëtarësimit në BE, tha kryeministri Mickoski pas publikimit të progres-raportit për Maqedoninë e Veriut nga BE.

Nuk kemi kohë për të humbur. Na pret edhe shumë punë, sepse reformat dhe rruga evropiane janë një proces afatgjatë dhe gjithëpërfshirës. Kështu është shprehur kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickovski pasi është publikuar progres-raporti i BE- së për Maqedoninë e Veriut. Si Qeveri punojmë intensivisht dhe me përkushtim për përmirësimin e gjendjes në të gjitha fushat, nuk ka asnjë devijim nga reformat, tha kreu i qeverisë duke e cilësuar këtë si mënyrën e vetme për ta përmirësuar jetën e qytetarëve dhe për ta çuar përpara Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

“Qytetarët janë të lodhur nga i gjithë procesi i anëtarësimit në BE dhe se pa justifikim jemi në dhomën e pritjes, por qëllimi i vetëm strategjik dhe i qëndrueshëm për të ardhmen e të gjithëve mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, është shpreh kryeministri Hristijan Mickovski.

Në raport-progresin thuhet se Maqedonia e Veriut përfaqëson shembull të mirë për ndërtimin e shoqërisë shumëtnike, por vendi duhet ta fuqizojë besimin në sistemin gjyqësor, ta intensifikojë ritmin e reformave lidhur me Bashkimin Evropian, si dhe ta përmbushë detyrimin e ndërmarrë për kompletimin e ndryshimeve kushtetuese.

Mickovski: Para formimit të qeverisë në Bullgari nuk do të ketë ndryshime në kushtetutë

Për Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, kushti kryesor për vazhdimin e negociatave me BE-në është ndryshimi i Kushtetutës për përfshirjen e minoritetit bullgar në të. Deri më tani, ky proces është cunguar. Qeveria ka propozuar që edhe nëse bëhen ato ndryshime, të bëhen me zbatim të prolonguar. Kryeministri Mickoski thotë se nuk do të ketë iniciativë për ndryshimet kushtetuese me zbatim të prolonguar, para formimit të Qeverisë në Bullgari. “Një veprim i tillë i njëanshëm, do të nënkuptonte një rrezikim të plotë të integrimit tashmë të kërcënuar evropian, për shkak të aventurave të qeverisë së kaluar. Kuptohet se duhet të merret ndonjë sinjal që të bëjmë çfarëdo hapi përpara. Nuk do të futemi në asnjë avanturë”, vlerëson kryeministri Mickovski.

Presidentja e vendit Gordana Siljanovska -Davkova vlerëson se vendi i ka plotësuar kushtet dhe se është momenti i fundit që të fillojnë negociatat për anëtarësim në BE, sipas kriterit të Kopenhagës. Sias saj, raportet BE-së ndonjëherë mund të jenë të padrejta. “Nëse keni pasur 16 raporte pozitive, atëherë është në pikëpyetje poashtu edhe kredibiliteti i atij që i shkruan raportet. Nëse keni 16 ‘po’ nga Parlamenti dhe nëse keni 16 ‘po’ nga Komisioni dhe 16 ‘jo’ nga Këshilli, atëherë mendoj se edhe Këshilli duhet të mendoj. Është koha e fundit që ne të fillojmë negociatat, përmes prizmës së kriterit të Kopenhagës”, thotë presidentja e shtetit Gordana Siljanovska-Dvakova.

Gashi: Vërejtjet e BE-së duhet të meren seriozisht

Kryeparlamentari, Afrim Gashi thotë se vërejtjet e Komisionit Evropian duhet të merren seriozisht për t’i mënjanuar në favor të së ardhmes europiane të vendit. “Ne përfundimisht duhet të jemi vetëkritik dhe sinqerisht të shohim vërejtjet dhe të mundohemi bashkë që t’i korrigjojmë. Sa më shpejtë t’i korrigjojmë këto çështje, fillimisht është për të mirën tonë, por edhe për raportin tonë kundrejt integrimit të vendit në BE”. Sipas Gashit, Kuvendi është i përgatitur për ndryshimet kushtetuese, por që të ndodhin ato duhet të ketë vullnet politik.

“Kuvendi është i përgatitur për të gjitha procedurat për ndryshimin e kushtetutës por që kjo procedurë të filloj duhet të ekzistojë vullnet politik dhe marrëveshje që do të na siguronte një percepcion real që të mos fillojmë diçka për të mos patur sukses në fund”, theksoi Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.

Filipçe: Qeveria po lëviz në drejtim të gabuar

Për opozitën maqedonase progres-raporti është mesazh i qartë se çfarë duhet të bëjë vendi për anëtarësim në BE. Maqedonia e Veriut e ka mundësinë që të përshpejtojë rrugën drejt BE-së, por pushteti sheh vetëm interesin personal. “Maqedonia e Veriut ka shans që t’i fillojë bisedimet, t’i hap kapitujt dhe ta përshpejtojë rrugën drejt BE-së. Por kjo Qeveri po lëvizë tërësisht në drejtim të gabuar. Falë politikave destruktive të kryeministrit Mickovski, Maqedonia e Veriut asnjëherë nuk ka qenë më larg BE-së”, vlerëson Venko Filipçe kryetar i socialdemokratëve opozitarë.

Draftprogresi për Maqedoninë e Veriut në formë të prerë kërkon nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese , forcimin e shtetit të së drejtës si dhe reformat drejt BE-së. Maqedonia e Veriut nisi zyrtarisht bisedimet me konferencën e parë ndërqeveritare në korrik të vitit 2022 dhe ka përmbyllur vetëm procesin e skriningut. Ndërkohë që së fundmi vendi u shkëput nga Shqipëria në proces negociatash në mungesë të zbatimit të ndryshimeve kushtetuese. /DW

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat