back to top
24.5 C
Tirana
E hënë, 1 Qershor, 2026
spot_img
KreuAktualitetNga sheshi Skënderbej te Ministria e Shëndetësisë/ Protesta kundër terapisë hormonale

Nga sheshi Skënderbej te Ministria e Shëndetësisë/ Protesta kundër terapisë hormonale

Koalicioni Pro Familjes zhvilloi sot një protestë në sheshin Skënderbej kundër terapisë hormonale tek fëmijët, duke mbledhur qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe përfaqësues të Partisë Demokratike.

Tubimit iu bashkuan edhe eksponentë të lartë të opozitës, të cilët anuluan aktivitetin e përjavshëm politik para Kryeministrisë për të qenë pjesë e protestës.

Gjatë fjalës së tij, pastori Akil Pano kritikoi ashpër politikat që, sipas tij, lidhen me trajtimet hormonale dhe tranzicionin gjinor tek të miturit. Ai deklaroi se këto nisma cenojnë institucionin e familjes dhe ngriti shqetësime lidhur me pasojat që, sipas tij, mund të sjellin tek fëmijët.

Pano tha se preparatet e përdorura për terapinë hormonale janë të dëmshme dhe akuzoi institucionet se po promovojnë politika që, sipas tij, inkurajojnë ndërhyrje të pakthyeshme tek të rinjtë. Ai e cilësoi këtë fenomen si një nga sfidat më serioze me të cilat përballet vendi.

Pas tubimit në sheshin Skënderbej, protestuesit marshuan drejt Ministrisë së Shëndetësisë, ku vijuan manifestimin me pankarta dhe thirrje kundër politikave që ata kundërshtojnë. Mes sloganeve të dëgjuara ishte edhe: “Njësi për kurim, jo për kastrim”.

Pjesëmarrësit kërkuan gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të ministres së Shëndetësisë, Evis Sala, duke i bërë përgjegjës për politikat që, sipas tyre, po ndiqen në këtë fushë.

Protesta u zhvillua nën masa të shtuara sigurie dhe pa incidente të raportuara.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat