Gazetari, publicisti dhe një nga themeluesit e Partisë Demokratike, Mitro Çela, ka rikthyer në vëmendje një histori të më shumë se dy dekadave më parë mbi ndërtimin e autostradës Fier–Vlorë dhe debatet që, sipas tij, u zhvilluan në Bruksel për ndikimin që projekti mund të kishte mbi habitatin e pelikanit kaçurrel në zonën e Nartës.
Në një shënim të publikuar mes protestave që po zhvillohen prej ditësh kundër projekteve në Zvërnec dhe Nartë, Çela e lidh simbolikisht historinë e dikurshme me lëvizjen aktuale qytetare, e cila në mediat ndërkombëtare po identifikohet shpesh si “Revolucioni i Flamingove”.
“Në protestat e qytetarëve kundër Ramës dhe Berishës, del edhe një simbol, pelikani kaçurrel dhe flamingot. Në shumë kronika të shtypit të huaj protesta quhet Revolucioni Flamingo”, shkruan ai.
Sipas rrëfimit të tij, debati lidhej me financimin europian për autostradën Fier–Vlorë, projekt i cili në atë kohë kërkonte miratim për fondet nga Bashkimi Europian.
Çela kujton se delegacioni shqiptar, i drejtuar nga ministri i atëhershëm i Transporteve, Sokol Olldashi, kishte shkuar në Bruksel për finalizimin e procedurave, por u përball me kundërshtime të ekspertëve europianë për shkak të ndikimit që rruga mund të kishte mbi habitatin e shpendëve të rrallë në Nartë.
Ai përshkruan edhe një dialog që e cilëson surreal mes ministrit shqiptar dhe ekspertëve europianë.
“Ministri: Kush është shkaku që nuk pranoni të hidhni firmën? Eksperti: Pelikani kaçurrel. Ministri: Ç’është kjo marrëzi? Ne kemi ardhur për rrugën, ju na flisni për zogj të egër? Eksperti: Në kënetën e Nartës rriten zogj të rrallë. Me paratë e BE-së nuk mund të lejojmë ‘pushkatimin’ e pelikanit kaçurrel”, rrëfen Çela.
Sipas tij, përplasja solli edhe ndërhyrjen e qeverisë së kohës, ndërsa ish-zëvendësministri i Mjedisit, Taulant Bimo, u përfshi në gjetjen e një kompromisi.
Në rrëfim përshkruhet se gjatë një telefonate të natës nga kryeministri i atëhershëm, Bimo u pyet nëse kishte dërguar dokumente në Bruksel që lidhnin projektin me mbrojtjen e pelikanit kaçurrel.
“Duhet gjetur një kompromis”, kujton Çela se kishte thënë Berisha, duke shtuar se më pas u hartua një letër ku propozohej që projekti të vazhdonte, por me korrigjime për mbrojtjen e habitatit.
Sipas tij, pas ndryshimeve në projekt dhe shtimit të masave mbrojtëse, Bashkimi Europian dha miratimin për fondet.
“Kush nuk e beson tregimin tim, le të marrë rrugën për në Vlorë. Në autostradë, afër Panajasë, si fantazmë në mes të fushës, janë ndërtuar disa prita me rrjeta”, shkruan ai.
Në pjesën e fundit të reagimit, Mitro Çela e zhvendos debatin tek aktualiteti dhe kritikon qëndrimin e institucioneve europiane dhe ekspertëve të sotëm për projektet që po kundërshtohen në zonën e Zvërnecit dhe Nartës.
Sipas tij, standardet europiane për mbrojtjen e mjedisit kanë mbetur të njëjta, ndërsa ngre pikëpyetje për heshtjen ndaj projekteve që, sipas aktivistëve, mund të ndikojnë habitatet natyrore.
“Ekspertët e viteve 2000 kanë dalë në pension. Edhe lidershipi. Ekspertët e rinj flenë mbi dafina. Heshtin kur e dinë se aeroporti i Vlorës është ‘armik’ për shtegëtimin e flamingove dhe pelikanit kaçurrel”, shkruan Çela.



