Avokati Gentian Serjani ka deklaruar se ka vizituar këtë të shtunë një nga protestuesit e ndaluar, të identifikuar si Niko Qarkaj, për të cilin thotë se vuan nga epilepsia dhe se gjatë qëndrimit në komisariat ka pësuar disa kriza shëndetësore.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Serjani pretendon se gjatë një prej krizave epileptike të ndodhura mbrëmjen e djeshme, Qarkaj nuk ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas avokatit, i ndaluari ka deklaruar se gjatë episodit mund të ketë ofenduar efektivët e policisë, pasi nuk ishte i vetëdijshëm për veprimet e tij, ndërsa pretendon se më pas është dhunuar fizikisht nga punonjësit e policisë.
Serjani shton se Qarkaj ndodhet në grevë urie që prej momentit të shoqërimit të tij.
“Ditën e sotme vizitova të ndaluarin Niko Qarkaj, i cili u shoqërua gjatë protestës. Ai vuan nga epilepsia dhe, sipas tij, gjatë qëndrimit në komisariat ka pësuar disa kriza. Mbrëmjen e djeshme, gjatë një prej krizave epileptike, për shkak të gjendjes së tij ai nuk ka qenë i vetëdijshëm për veprimet apo fjalët e tij. Sipas deklarimit të tij, gjatë këtij episodi mund të ketë ofenduar punonjësit e policisë, por në vend që të merrte ndihmën e nevojshme, ai pretendon se është dhunuar fizikisht nga efektivët e policisë, duke mbetur edhe i gjakosur”, shkruan avokati.
Në reagimin e tij, Serjani kërkon lirimin e menjëhershëm të Qarkajt, si edhe nisjen e një hetimi të plotë dhe të pavarur për pretendimet e ngritura lidhur me dhunën e ushtruar ndaj tij.
Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me pretendimet e bëra nga avokati i të ndaluarit.



