Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish këtë të hënë lidhur me protestat e zhvilluara kundër qeverisë, duke deklaruar se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë paqësisht, por duke theksuar se tubimet kanë devijuar nga qëllimi fillestar.
Në një reagim publik, kreu i qeverisë u shpreh se protesta nuk lidhet më me çështjen e Sazanit dhe Zvërnecit, pasi sipas tij dokumentacioni dhe veprimet e qeverisë tregojnë se janë respektuar interesi publik dhe standardet ndërkombëtare.
Rama tha se protestat po ndikojnë negativisht në imazhin e vendit, duke krijuar perceptimin e një Shqipërie jomiqësore ndaj mjedisit dhe investimeve të huaja, si edhe të pasigurt për turistët. Ai paralajmëroi se anulimet e rezervimeve dhe bllokimet e rrugëve mund të kenë pasoja ekonomike për sektorin e turizmit dhe për familjet që varen prej tij.
Kryeministri kritikoi gjithashtu bllokimin e rrugës drejt Aeroportit të Rinasit, duke e cilësuar një shfaqje të ekstremizmit që cenon lirinë e lëvizjes së qytetarëve. Sipas tij, protesta është marrë nën kontroll nga “mendje të liga dhe duar të këqija”, të cilat synojnë të dëmtojnë Shqipërinë.
Ai shprehu keqardhje për të rinjtë që, sipas tij, janë përfshirë në protesta të udhëhequra nga një “revolucion imagjinar”, ndërsa u bëri thirrje të shkëputen nga ndikimet destruktive.
Rama rezervoi kritika edhe për figura të njohura të jetës publike që i janë bashkuar protestës, duke i cilësuar si persona me “mendje të cekëta” që besojnë se “deti u bë kos” dhe se qeveria është drejt rënies.
Megjithatë, kryeministri theksoi se qeveria do të marrë mësime nga pjesa që ai e quajti “e çiltër” e protestës, duke adresuar shqetësimet legjitime të qytetarëve. Ai shtoi se, sipas tij, pas shpërndarjes së “mjegullës”, Partia Socialiste do të dalë më e fortë në skenën politike shqiptare.



