Kryeministri Edi Rama ka folur për reformën në drejtësi dhe raportin e Partisë Socialiste me institucionet e reja të drejtësisë gjatë aktivitetit të organizuar në Pallatin e Kongreseve me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste.
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te çështja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të cilin e cilësoi si “të burgosur politik”, por theksoi se Partia Socialiste nuk do të kërkojë ndërhyrje për lirimin e tij.
“Nuk jemi duke kërkuar lirinë për të burgosurin politik Erion Veliaj, se nuk është çështja jonë. Sado e dhimbshme dhe e padrejtë të na duket ne”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë e lidhi këtë qëndrim me historinë e socialistëve dhe sakrificat e bëra, duke sjellë në vëmendje rastin e ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili u burgos në vitet ’90.
Sipas Ramës, socialistët kanë detyrimin të mbështesin funksionimin e drejtësisë së pavarur edhe kur vendimet e saj prekin figura të rëndësishme të partisë.
“Ne pikërisht pse jemi këtu për të bërë histori dhe për t’u lënë fëmijëve një Shqipëri tjetër kemi një detyrë, detyrën që Fatos Nano e kreu më së miri, jo vetëm duke përballuar burgun, por edhe duke dalë me dorën e shtrirë”, tha ai.
Rama theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar mes së shkuarës dhe së ardhmes, duke e lidhur procesin e integrimit europian me forcimin e shtetit të së drejtës dhe reformën në drejtësi.
“Jemi në udhëkryq, jo Partia Socialiste, por Shqipëria. Mes së shkuarës dhe të ardhmes. Mes Shqipërisë që kemi pasur për shumë vite dhe asaj që kemi misionin t’ua lëmë fëmijëve në Bashkimin Europian”, u shpreh kryeministri.
Ai nënvizoi se reforma në drejtësi ka kërkuar sakrifica politike, duke argumentuar se është hera e parë që politika ka hequr dorë nga një pjesë e pushtetit të saj mbi sistemin e drejtësisë.
“Drejtësia është e vetmja sakrificë reale që politikanët bëjnë, sepse lëshojnë pushtet, lëshojnë një shpatë me rrezikun që t’u vijë me të drejtë ose padrejtë”, deklaroi Rama.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një kohë kur debati mbi reformën në drejtësi dhe veprimet e institucioneve të reja të drejtësisë mbetet një nga temat më të diskutuara në politikën shqiptare.



