Kryeministri Edi Rama, gjatë pjesëmarrjes në Samitin BE–Ballkani Perëndimor që po zhvillohet në Tivat, komentoi edhe protestat e ditëve të fundit kundër projektit të diskutuar për zonën e Zvërnecit, duke i cilësuar ato si pjesë të një “lufte hibride” dhe jo si reagime me bazë mjedisore.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u ndal fillimisht te bashkëpunimi rajonal, duke theksuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e të njëjtës tryezë bashkëpunimi, por secili shtet duhet të mbajë përgjegjësitë e veta.
“Duhet të jemi të gjithë në tryezën e rrumbullakët si sot, por secili duhet të bëjë detyrën e tij”, u shpreh Rama.
Duke komentuar protestat për Zvërnecin, kryeministri deklaroi se, sipas tij, pas reagimeve publike nuk qëndrojnë motive mjedisore, por ndikime të jashtme.
“Atje nuk është çështje mjedisore, është luftë hibride. Pas protestës janë iranianët, që kanë qenë edhe herë të tjera të përfshirë në sulme”, deklaroi Rama.
Kryeministri hodhi poshtë gjithashtu pretendimet dhe debatet e krijuara rreth projektit që ka nxitur reagime publike, duke thënë se projekti për të cilin është diskutuar në opinion nuk ekziston në formën e paraqitur nga kundërshtarët e tij.
Sipas Ramës, qytetarëve u janë shfaqur materiale të pavërteta dhe video të manipuluara, ndërsa aktualisht nuk ekziston një projekt i miratuar për të cilin të zhvillohet debat publik.
“Projekti në Zvërnec nuk është ai që është folur. Keni parë video false nga Tirana… S’ka asgjë për të diskutuar, sepse s’ka asnjë projekt të miratuar”, tha ai.
Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur protestat kundër projektit të diskutuar në Zvërnec kanë hyrë në ditën e pestë, ndërsa grupet qytetare dhe ambientalistët kanë kërkuar transparencë më të madhe mbi planet që prekin zonën bregdetare dhe ekosistemin e saj.



