Deputeti Pirro Vengu ka komentuar debatin që po shoqëron zhvillimet në Zvërnec, duke e cilësuar protestën kundër planeve për zonën si legjitime dhe të denjë për t’u dëgjuar, në një qëndrim që dallon nga deklaratat e shumicës së përfaqësuesve socialistë për këtë çështje.
I ftuar në “Vizion Plus”, deputeti i Vlorës tha se vetë ekzistenca e një debati publik mbi mënyrën e zhvillimit të zonës është tregues i një demokracie më të pjekur dhe më funksionale.
“Çështja e vërtetë është se kemi të bëjmë me një protestë të denjë. Dikur do ta quanim europiane, sot mund ta quajmë një normalitet të ri në vendin tonë. Debati për mënyrën si zhvillohemi, si mbrojmë identitetin dhe ekosistemin, apo si sigurojmë zhvillim afatgjatë, tregon një farë shëndoshjeje të demokracisë sonë”, u shpreh Vengu.
Deputeti theksoi se debati publik është reduktuar padrejtësisht te çështja e ndërtimit të një resorti, ndërsa sipas tij, tema reale duhet të jetë modeli i zhvillimit të zonës dhe e ardhmja ekonomike e komuniteteve lokale.
“Ne nuk po flasim vetëm për një resort, po flasim për modelin e zhvillimit në një aset kombëtar. Banorët e zonës e duan zhvillimin. Ata jetojnë aty prej dekadash, madje prej shekujsh, dhe duan begati për fëmijët e tyre. Duan që çdo zhvillim të jetë i ligjshëm, por bien dakord se zona duhet të zhvillohet”, deklaroi ai.
Vengu u ndal edhe te problematikat mjedisore të zonës, duke argumentuar se ruajtja pasive e territorit nuk garanton domosdoshmërisht mbrojtjen e ekosistemit.
Sipas tij, vëmendje më e madhe duhet t’i kushtohet rehabilitimit të lagunës, ndikimit të aluvioneve dhe problematikave të krijuara nga kanalet kulluese në zonën e Vlorës.
“Kush flet për nevojën për të rehabilituar lagunën? Kush flet për dëmet që i shkaktojnë aluvionet dhe kanalet e kullimit të Vlorës këtij ekosistemi? Kjo është përditshmëria e banorëve dhe për këto probleme flitet shumë pak”, tha deputeti.
Duke komentuar edhe rrethimin me tela të zonës, një çështje që ka nxitur reagime të shumta ditët e fundit, Vengu përdori tone kritike, duke e cilësuar atë një veprim të gabuar.
“Rrethimi me tela është një feudalizëm moral i pashpjegueshëm”, u shpreh ai.
Në përfundim, deputeti socialist tha se rasti i Zvërnecit duhet të shfrytëzohet si një mundësi për një debat më të gjerë kombëtar mbi modelin e zhvillimit, balancën mes mbrojtjes së mjedisit, ligjshmërisë dhe interesave të komuniteteve lokale.



