Shoqëria më e madhe e fluturimeve me çmim të lirë në Europë, Ryanair këtë të hënë njoftoi për rënie të fitimit për gjashtëmujorin e parë të vitit. Për të gjithë vitin në tërësi, Ryanair nuk guxoi të jepte prognoza. Megjithatë kreu ekzekutiv financiar, Neil Sorahan u shpreh se fitimi me siguri do të jetë më i ulët se në vitin e kaluar, sipas Reuters. Rënia e fitimit të Ryanair lidhet me uljen e çmimeve të biletave , por edhe me vonesat në furnizimet me avionët Boeing për shkak problemesh teknike. Por Ryanair ka probleme edhe me vendimet e rritjes së taksave në aeroporte. Pas Gjermanisë, e cila rriti taksat e aeroporteve këtë vit, pasojnë tani Britania e Madhe dhe Franca. Të dyja vendet do të rrisin taksat e fluturimit.
Ryanair i ka kritikuar ashpër vendimet e qeverisë britanike dhe asaj franceze. Shoqëria më e madhe e fluturimeve me çmim të lirë paralajmëroi, se këto rritje mund të dëmtojnë turizmin, lidhjet ndëreuropiane dhe rritjen ekonomike. Lajmi për rritjen e taksave të fluturimit në Britaninë e Madhe e Francë vjen në momentin më të papërshtatshëm për Ryanair. Në Britaninë e Madhe do të ketë rritje prej 2 pound të tatimit të fluturimit për pasagjerët për fluturimet me distanca të shkurtra.
Ryanair ka kritikuar, kjo do të rëndojë familjet dhe do ta bëjë tregun britanik të fluturimit më pak tërheqës për turistët dhe linjat ajrore, po ashtu taksa mund të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike të aeroporteve rajonale. Kreu ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, pretendon se kjo rritje e taksave bie ndesh edhe me programin e rritjes së qeverisë laburiste dhe ka njoftuar shkurtime të mundshme deri në 10% të kapacitetit të fluturimit në Britaninë e Madhe për vitin 2025.
Edhe në Francë, qeveria planifikon një rritje prej 260% të “taksës së solidaritetit”. Ryanair pas këtij njoftimi reagoi, duke thënë, se kjo mund të pengojë edhe më tej rimëkëmbjen e trafikut ajror të Francës pas pandemisë COVID-19. Ryanair i kërkon të dyja qeverive të vendeve europiane të anulojnë këto rritje taksash për të mbështetur turizmin, vendet e punës dhe moslënien pas nga konkurrenca.
Ku do të reduktohen fluturimet në Gjermani?
Në Gjermani Ryanair reagoi pas vendimit të qeverisë për rritjen e tarifave në aeroporte dhe ka marrë disa vendime duke reduktuar ofertën e fluturimit. Në vitin e ardhshëm, Ryanair nuk do të fluturojë më nga Dortmundi, Dresdeni dhe Lajpcigu e do të reduktojë ofertën në aeroportin e Berlinit, BER me 20%. Oferta në Hamburg do të reduktohet me 60%. Që në gusht Ryanair kërcënoi se do të shkurtojë fluturimet në Gjermani, nëse Gjermania nuk e tërheq taksës për aeroportet.
“Në orarin e fluturimeve dimërore nga tetori, shohim një hendek në ofertat gjermane të fluturimeve prej 27 përqind krahasuar me mesataren evropiane,” thotë Alexander Klay nga Shoqata Federale e Industrisë së Aviacionit Gjerman (BDL). “Gjermania ka 83 për qind të ofertës së fluturimit në krahasim me vitin 2019. Pjesa tjetër e Europës ka 110 për qind”./DW