Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka pezulluar përkohësisht aplikimet për viza në ambasadat dhe konsullatat amerikane në mbarë botën. Vendimi vjen në kuadër të politikave të reja të administratës për forcimin e kontrolleve ndaj emigracionit dhe ndryshimin e mënyrës së shqyrtimit të aplikimeve për viza.
Departamenti amerikan i Shtetit ka njoftuar nisjen e një programi trajnimi për stafin konsullor në ambasadat dhe konsullatat amerikane në vende të ndryshme të botës. Për shkak të këtij trajnimi, shërbimet për aplikimet për viza do të pezullohen përkohësisht.
Sipas një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit, trajnimi synon të ndihmojë zyrtarët konsullorë në zbatimin e rregullave të reja dhe në vlerësimin më të detajuar të aplikantëve.
Në fokus do të jetë edhe identifikimi i personave që autoritetet amerikane vlerësojnë se mund të bëhen të varur nga përfitimet publike në Shtetet e Bashkuara. Departamenti i Shtetit tha se synohet që procesi i shqyrtimit të aplikimeve të kryhet në mënyrë “gjithëpërfshirëse dhe të njëtrajtshme”.
Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi përmbajtjen e trajnimit dhe as një afat të saktë se sa do të zgjasë pezullimi.
Lajmi për pezullimin u raportua fillimisht nga Financial Times. Sipas gazetës, disa persona që kishin intervista të planifikuara për viza imigruese në ambasada dhe konsullata amerikane kanë marrë njoftime se takimet e tyre do të riplanifikohen. Aplikantët janë informuar se do të marrin më vonë një datë të re për intervistën.
Vendimi është pjesë e një politike më të gjerë të administratës Trump për ashpërsimin e kontrollit mbi emigracionin. Që prej rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, administrata ka ndërmarrë një sërë masash që synojnë rritjen e dëbimeve të emigrantëve pa dokumente dhe frenimin e kalimeve të paligjshme në kufirin amerikan.
Gjatë fushatës për mandatin e dytë, Trump premtoi dëbimin e miliona emigrantëve që qëndrojnë në SHBA pa dokumente. Administrata e tij ka ndërmarrë gjithashtu masa për revokimin e vizave dhe lejeve të qëndrimit në raste të caktuara.
Politikat e reja kanë shkaktuar edhe përplasje ligjore. Vetëm pak ditë më parë, një gjykatë amerikane rrëzoi një vendim të administratës Trump për pezullimin e lëshimit të vizave për emigrantë nga 75 shtete, duke vlerësuar se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte tejkaluar kompetencat ligjore.
Administrata Trump, nga ana tjetër, argumenton se forcimi i kontrolleve të emigracionit dhe i procedurave të vizave është i nevojshëm për sigurinë kombëtare dhe për mbrojtjen e interesave të Shteteve të Bashkuara.
Pezullimi i ri pritet të prekë mijëra aplikantë në vende të ndryshme, ndërsa mbetet për t’u parë se kur do të rifillojë normalisht procesi i aplikimeve dhe intervistave për viza.



