Sot, deputetët e grupit parlamentar të mazhorancës, anëtarë të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, u kanë përcjellë kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë propozimin për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0.
Për të ndërtuar një reformë të mbështetur në fakte dhe në nevojat reale të territorit, që në fillim mazhoranca zgjodhi një model të pazakontë bashkëpunimi politik: bashkëdrejtimin e Komisionit dhe përfaqësimin e barabartë të mazhorancës dhe opozitës. Ky organizim u zgjodh me bindjen se një reformë që prek organizimin e territorit dhe jetën e komuniteteve nuk duhet të jetë çështje e një pale politike apo e një mandati të vetëm.
Pas përfundimit të mandatit të Komisionit, mazhoranca u gjend përpara një zgjedhjeje të qartë: ta linte pa rezultat një proces të nisur, ose ta vijonte atë me përgjegjësi, duke i kthyer dëgjesat në territor, ekspertizën dhe analizën e ekspertëve në një propozim konkret. Mazhoranca zgjodhi të vazhdojë, sepse Shqipëria nuk mund të humbasë kohë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe ndërtimit të bashkive europiane.
Që në fillim të procesit, mazhoranca zgjodhi rrugën e dialogut, duke i ofruar opozitës çdo mundësi për të dhënë kontributin e saj dhe duke pranuar kërkesën për paritet në Komision dhe për bashkëkryesimin e tij. Ishte një zgjedhje e vetëdijshme, sepse mazhoranca besoi se një reformë që prek organizimin e territorit dhe të pushtetit vendor fiton më shumë vlerë kur ndërtohet mbi sa më shumë dakordësi.
Deputetët e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Posaçëm, shprehën mirënjohjen për kolegët e opozitës që morën pjesë në një proces të hapur dëgjesash publike, diskutimesh dhe pune në Komision. Deputetët e maxhorancës shprehën bindjen se shumë prej tyre ndajnë të njëjtin shqetësim dhe të njëjtin qëllim me mazhorancën: që bashkitë dhe qytetet e Shqipërisë të kenë një organizim më efikas dhe më përfaqësues, si dhe që qytetarët të marrin shërbime më cilësore.
Komisioni parlamentar u angazhua në një proces të paprecedentë. Pas dëgjesave në 11 qarqe dhe konsultimeve me mbi 3 500 qytetarë, përfaqësues vendorë, përfaqësues të biznesit, universiteteve dhe shoqërisë civile, u konstatua se Reforma Administrativo-Territoriale e vitit 2014 shënoi një ndryshim themelor në organizimin e pushtetit vendor në Shqipëri.
Ajo i dha fund copëzimit të skajshëm të territorit, duke e kaluar vendin nga 373 njësi të qeverisjes vendore në 61 bashki më të mëdha dhe me më shumë mundësi për të ushtruar funksionet e tyre. Dhjetë vjet më vonë, rezultatet e kësaj reforme janë të dukshme. Të ardhurat e veta të bashkive janë rritur ndjeshëm, detyrimet e prapambetura janë ulur, kapacitetet administrative janë forcuar dhe një pjesë më e madhe e buxheteve vendore është orientuar drejt investimeve dhe shërbimeve për qytetarët. Për herë të parë u ngrit gjithashtu një sistem kombëtar për matjen e performancës së bashkive.
Por pikërisht përvoja e këtyre dhjetë viteve ka nxjerrë në pah edhe sfida të reja. Shqipëria e vitit 2026 nuk është më Shqipëria e vitit 2014. Dinamikat demografike, ekonomike dhe territoriale kanë ndryshuar ndjeshëm, ndërsa zhvillimi ndërmjet bashkive mbetet i pabarabartë. Disa bashki kanë mundësi të investojnë, të tërheqin aktivitet ekonomik dhe të ofrojnë shërbime me standarde të larta, ndërsa të tjera përballen me tkurrjen e popullsisë aktive, me të ardhura të kufizuara dhe me mungesën e burimeve njerëzore të specializuara.
Në të njëjtën kohë, përparimi i Shqipërisë në procesin e integrimit europian vendos përpara pushtetit vendor kërkesa të reja. Një pjesë shumë e madhe e legjislacionit europian, rreth 70%, zbatohet në nivel vendor, në fusha si planifikimi, mjedisi, menaxhimi i mbetjeve, transporti, zhvillimi ekonomik lokal dhe shërbimet publike. Edhe përfitimi nga fondet e ardhshme të kohezionit dhe të zhvillimit rajonal kërkon bashki me kapacitete të forta administrative, teknike dhe financiare.
Përballë këtij realiteti, kërkesat e qytetarëve dhe të palëve të përfshira ishin të qarta: bashki efikase, me kapacitete reale dhe me përfaqësueshmëri më të madhe; bashki të afta të funksionojnë në hapësirën europiane; ruajtje të identitetit vendor; ekuilibër ndërmjet efikasitetit dhe afërsisë me qytetarin; si dhe një zhvillim më të balancuar në të gjithë territorin.
Pikërisht mbi bazën e këtyre kërkesave, anëtarët e grupit parlamentar të mazhorancës i propozojnë Kuvendit projektligjin për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0.
Bashkëlidhur këtij propozimi janë dërguar relacioni i projektligjit, raporti i detajuar analitik i ekspertëve të Komisionit, hartat, gjetjet dhe argumentet mbi të cilat mbështetet propozimi.
Çfarë ndryshon
Modeli i propozuar ruan bashkinë si të vetmen njësi të vetëqeverisjes vendore, me një kryetar, një këshill, një administratë dhe një buxhet të vetëm.
Në organizimin e brendshëm të bashkive, si përgjigje ndaj kërkesave të ngritura gjatë dëgjesave, gjetjeve të raportit analitik të ekspertëve dhe nevojës për një model më të mirë përfaqësimi, krijohet një nivel i ri organizimi vendor: “Qyteti”.
Në këtë mënyrë, skema aktuale “Bashki – Njësi Administrative” zëvendësohet me skemën “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”. Qyteti merr një rol më të qartë në planifikim, përfaqësim dhe organizimin e shërbimeve, me një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ.
Në praktikë, 28 bashki konsolidohen në 13 bashki të reja. Ky konsolidim e ul numrin e përgjithshëm të bashkive nga 61 në 46.
Struktura e re do të përbëhet nga 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative, ndërsa 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet.
| RAT 2.0 NË SHIFRA
61 → 46 bashki 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative në strukturën e re 20 bashki do të kenë më shumë se një qytet në përbërje ~225 mijë banorë përfshihen drejtpërdrejt në bashkitë që bashkohen 60 ditë afati për bashkitë të shqyrtojnë propozimin dhe të konsultojnë qytetarët 3.500+ qytetarë të përfshirë deri tani në dëgjesat e territorit |
Ndryshimet
Bashkitë e mëposhtme, me një popullsi të përgjithshme prej rreth 225 mijë banorësh, bashkohen me bashkitë fqinje drejt të cilave gravitojnë realisht.
| Nr. | Bashkitë që Konsolidohen | Bashkia e Re |
| 1 | Fushë-Arrëz + Pukë | Pukë |
| 2 | Klos + Mat | Mat |
| 3 | Rrogozhinë + Kavajë | Kavajë |
| 4 | Dimal + Berat + Policcan | Berat |
| 5 | Patos + Fier | Fier |
| 6 | Divjakë + Lushnjë | Lushnjë |
| 7 | Selenicë + Vlorë | Vlorë |
| 8 | Maliq + Korcë | Korçë |
| 9 | Këlcyrë + Përmet | Përmet |
| 10 | Memaliaj + Tepelenë | Tepelenë |
| 11 | Libohovë + Gjirokastër | Gjirokastër |
| 12 | Cërrik + Elbasan + Belsh | Elbasan |
| 13 | Prrenjas + Librazhd | Librazhd |
Berati bashkohet me Dimalin dhe Poliçanin, duke krijuar një bashki me rreth 99 129 banorë, ndërsa Elbasani bashkohet me Cërrikun dhe Belshin, duke arritur në rreth 157 387 banorë. Të gjitha njësitë administrative ekzistuese ruhen të plota, së bashku me emërtimet dhe simbolet e tyre. Bashkitë e reja variojnë nga rreth 11 mijë banorë në bashkinë Pukë–Fushë-Arrëz, deri në rreth 157 mijë banorë në Elbasanin e zgjeruar.
Modeli i organizimit merr në konsideratë largësitë e skajshme, praninë e minoriteteve, vijueshmërinë gjeografike, aksesin rrugor dhe veçoritë identitare të territoreve.Për këtë arsye, bashki si Pusteci, Finiqi, Dropulli, Tropoja, Hasi, Skrapari dhe Konispoli ruhen dhe trajtohen si raste të veçanta, pavarësisht treguesve të tyre financiarë dhe demografikë.
Hapat në vijim
Bashkive u kërkohet të shqyrtojnë propozimin, të paraqesin mendimin e kryetarit, të marrin një qëndrim në këshillin bashkiak dhe të organizojnë konsultimin me qytetarët. Çdo qëndrim, pro ose kundër, duhet të dëgjohet, të argumentohet dhe të bëhet pjesë e dokumentacionit që do t’i paraqitet Kuvendit. Bashkitë do të kenë 60 ditë në dispozicion për ta zhvilluar këtë proces.
Ky nuk është fundi i procesit. Është momenti kur propozimi del nga Kuvendi dhe shkon aty ku duhet të diskutohet: në bashki dhe mes qytetarëve. Anëtarët e maxhorancës në Komisionit të Posaçëm u shprehën se është për të ardhur keq që politika e ditës nuk i lejoi Shqipërisë ta shfrytëzonte këtë mundësi të artë për një reformë të ndërtuar me konsensus të plotë. Sipas tyre, parimet mbi të cilat mbështetet propozimi, përfaqësimi, efikasiteti, zhvillimi dhe forcimi ekonomik i bashkive, përbëjnë një bazë reale dhe të mundshme për të ndërtuar dakordësi dhe për t’i kthyer bashkitë e Shqipërisë në bashki europiane.
Megjithatë, nuk është ende vonë. Propozimi që mazhoranca paraqet sot mbetet një bazë e fortë, mbi të cilën mund të ndërtohet dakordësia politike.
Deputetët e maxhorancës ftojnë sërish opozitën ta shqyrtojë këtë paketë me përgjegjësi shtetërore dhe, në vjeshtë, ta mbështesë së bashku me mazhorancën këtë reformë, jo për njërën palë apo tjetrën, por për Shqipërinë dhe për brezat që do të jetojnë në qytetet e saj.



