KreuDrejtësiaGrusht në bark gjatë shoqërimit/ Polici i “Shqiponjave” pezullohet nga detyra

Grusht në bark gjatë shoqërimit/ Polici i “Shqiponjave” pezullohet nga detyra

Një protestë është zhvilluar këtë mëngjes në Tiranë, në ditën e parë të nisjes së vitit të ri shkollor. Një grup qytetarësh janë nisur në marshim nga zona e Zogut të Zi, me flamuj në duar dhe duke bërë thirrje.

Marshimi është ndaluar nga policia, ndërsa disa prej protestuesve janë shoqëruar.

Gjatë shoqërimit të një prej qytetarëve është regjistruar edhe një moment tensioni. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, një efektiv policie shihet teksa godet me grusht në bark qytetarin, i cili mbahet nga efektivë të tjerë ndërsa po dërgohej drejt furgonit të policisë.

Pamjet kanë shkaktuar reagim të menjëhershëm nga drejtuesit e Policisë së Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të efektivit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, inspektor J. H., i cili shfaqet në video.

Sipas Policisë, ndaj efektivit është urdhëruar gjithashtu nisja e hetimit disiplinor për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës.

“Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit disiplinor ndaj punonjësit të Policisë, për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës dhe për kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë”, thuhet në reagimin zyrtar.

Policia e Shtetit deklaron se nuk do të tolerojë raste të përdorimit të forcës në kundërshtim me ligjin dhe standardet profesionale dhe se do të marrë masa ndaj çdo punonjësi që shkel rregullat.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat