Procesi për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm vijon të jetë në ngërç në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ndërsa një tjetër kërkesë për përjashtimin e një anëtari të KLP-së ka shtuar tensionet brenda Këshillit.
Kandidatja Arta Marku ka kërkuar tërheqjen e anëtarit të KLP-së, Sokol Stojani, nga procesi i vlerësimit të kandidaturave. Marku, e cila garon për herë të dytë për postin e Prokurores së Përgjithshme, pretendon se mes tyre ekziston konflikt interesi.
Raportohet se Marku argumenton se Stojani nuk mund ta vlerësojë në mënyrë të paanshme kandidaturën e saj, për shkak të një përplasjeje të hershme mes tyre.
Bëhet fjalë për periudhën kur Arta Marku drejtonte Prokurorinë e Përgjithshme si kryeprokurore e përkohshme. Në atë kohë, ajo vendosi largimin e Sokol Stojanit nga posti i drejtorit të hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme.
Vendimi solli përplasje mes tyre dhe tashmë, vite më vonë, kjo histori rikthehet në qendër të garës për kreun e Prokurorisë së Përgjithshme.
Pikërisht vendimmarrja e atëhershme e Markut është arsyeja mbi të cilën ajo mbështet kërkesën e sotme për përjashtimin e Stojanit, duke pretenduar se ai mund të mos jetë objektiv në vlerësimin e saj si kandidate.
Kjo nuk është përplasja e parë që shoqëron garën për kreun e Prokurorisë së Përgjithshme. Edhe më herët janë paraqitur kërkesa për përjashtimin e anëtarëve të KLP-së nga shqyrtimi i kandidaturave.
Në një rast të mëparshëm, kandidati Ylli Pjetërnikaj kërkoi përjashtimin e anëtarit të KLP-së, Vatë Stakës, për konflikt interesi. Më pas, Staka kërkoi përjashtimin e anëtarit Zeqir Hodo nga shqyrtimi i kësaj kërkese.
Ndërkohë, pesë kandidatët për postin e Prokurorit të Përgjithshëm ende nuk i janë përcjellë ILDKPKI-së për verifikimin e pasurisë, ndërsa brenda KLP-së vijojnë mosmarrëveshjet që kanë penguar ecurinë normale të procedurës.
Në garë janë Arta Marku, Adnan Xholi, Fatjona Memçaj, Rovena Zoto dhe Ylli Pjetërnikaj. Pas vlerësimit, KLP pritet të përzgjedhë tre kandidatura për t’ia përcjellë Kuvendit, i cili do të vendosë për kreun e ri të Prokurorisë së Përgjithshme.



