KreuAktualitetPolitikaAfera KAYO rrezikon integrimin?/ Tabaku: Preken drejtpërdrejt tre kapituj të negociatave

Afera KAYO rrezikon integrimin?/ Tabaku: Preken drejtpërdrejt tre kapituj të negociatave

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur sërish akuza për mënyrën se si zhvillohen tenderat publikë, duke e lidhur aferën KAYO me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thotë se problematikat që, sipas saj, janë evidentuar në procedurat e prokurimeve, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes, nuk janë thjesht çështje të brendshme, por prekin drejtpërdrejt detyrimet e Shqipërisë në procesin e negociatave me BE-në.

Sipas deputetes demokrate, mungesa e transparencës, konkurrencës dhe respektimit të shtetit ligjor mund të ndikojë në tre kapituj të negociatave, ndërsa pasojat shtrihen edhe në kapituj të tjerë.

Tabaku e lidh gjithashtu çështjen me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, të cilën e cilëson si bazën e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“Ky skandal prek themelet e shtetit dhe evidenton sistemin mbi të cilin ngrihet mazhoranca socialiste”, shprehet Tabaku.

Deputetja argumenton se KAYO nuk duhet parë si një rast i veçuar, por si pjesë e një modeli që, sipas saj, karakterizohet nga procedura të centralizuara, mungesë transparence dhe favorizim të kompanive të caktuara.

Në videon e saj, Tabaku sjell në vëmendje edhe disa prej çështjeve të tjera që opozita ka denoncuar gjatë viteve të fundit, mes tyre ligjin për investimet strategjike, koncesionin e porteve, aferën e AKSHI-t dhe çështjen që lidhet me mandatin e ish-zëvendëskryeministres.

Sipas saj, këto raste kanë ndikuar në frenimin e progresit të vendit, ndërsa pasojat e këtij modeli qeverisjeje janë ndjerë edhe te qytetarët, përmes rritjes së kostove dhe largimit të të rinjve nga Shqipëria.

Në fund të reagimit, Tabaku e përqendron kritikën te qeverisja e Edi Ramës.

“Ka vetëm një përgjigje: sistemi Rama. Pa e rrëzuar këtë sistem, nuk ka të ardhme europiane për Shqipërinë”, deklaron deputetja e PD-së.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat