Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Drejtori i Spitalit Rajonal të Fierit, Arben Voja, është dërguar në dhomat e paraburgimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, pas më shumë se katër orësh marrje në pyetje nga prokurorët.
Voja u arrestua gjatë ditës së sotme me urdhër të SPAK-ut, në kuadër të një hetimi për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh, që lidhet me tjetërsimin e rreth 44 mijë metrave katrorë tokë shtetërore në zonën e Povelçës.
Sipas dyshimeve të hetuesve, prona shtetërore i është kaluar një biznesmeni për ndërtimin e një impianti fotovoltaik, përmes dokumenteve të falsifikuara. Hetimi përqendrohet te periudha kur Voja drejtonte Kadastrën e Fierit, përpara se të merrte drejtimin e Spitalit Rajonal.
Në të njëjtën dosje janë arrestuar edhe ish-kreu i Njësisë Administrative Dërmenas, Dilaver Shyti, punonjësja e Kadastrës, Fjorelo Bida, si dhe noterja Anila Haxhiu.
Ndërkohë, për Arbina Jaupajn është caktuar masa e sigurisë “Detyrim për paraqitje”, e shoqëruar me ndalimin e daljes jashtë vendit.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rolin e secilit prej personave të përfshirë në skemën e dyshuar të tjetërsimit të pronës shtetërore.



