Raporti zyrtar i Avokaturës së Shtetit për ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) gjatë vitit 2025, i dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë, evidenton problematika serioze në funksionimin e sistemit shqiptar të drejtësisë, duke vënë në dukje shkelje të procesit të rregullt ligjor, mungesë të efektivitetit të mjeteve juridike dhe vendimmarrje të kontestuara në gjykatat më të larta të vendit.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 GJEDNJ ka dhënë 34 vendime për Shqipërinë, ndërsa në 12 prej tyre ka konstatuar shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dokumenti thekson se, megjithëse përfaqësimi i Avokaturës së Shtetit ka shmangur pasoja të konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit, problematikat e evidentuara tregojnë se sistemi vijon të përballet me sfida të thella strukturore.
Një nga çështjet kryesore të ngritura në raport lidhet me mosfunksionimin efektiv të mekanizmit për kompensimin e qytetarëve për tejzgjatjen e proceseve gjyqësore, të parashikuar në nenin 399/1 të Kodit të Procedurës Civile. Avokatura e Shtetit pranon se mekanizmi, i krijuar në vitin 2017, nuk po arrin të japë rezultatet e synuara për shkak të mungesës së gjyqtarëve dhe rritjes së ndjeshme të stokut të çështjeve në pritje, situatë që lidhet edhe me efektet e procesit të rivlerësimit kalimtar (vetting).
Raporti i referohet edhe vendimit të GJEDNJ-së në çështjen “ARB dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, ku gjykata ka paralajmëruar se, nëse nuk merren masa urgjente për plotësimin e vakancave, veçanërisht në gjykatat e Apelit, mjeti i brendshëm juridik për kompensimin e vonesave mund të konsiderohet joefektiv. Sipas Strasburgut, barra e reformës në drejtësi nuk mund të transferohet te qytetarët që presin zgjidhjen e çështjeve të tyre.
Një tjetër problematikë e evidentuar është mënyra e llogaritjes së afatit katërmujor për paraqitjen e ankesave në Gjykatën Kushtetuese. Raporti përmend vendimet “Ibrahimi dhe të tjerë”, “Ilia” dhe “Fortuzi”, ku GJEDNJ ka konstatuar se qytetarëve u është mohuar në mënyrë të padrejtë aksesi në kontrollin kushtetues. Sipas Avokaturës së Shtetit, institucionit i është rekomanduar që kjo praktikë të rishikohet përmes pajtimit në çështjet përkatëse, por Gjykata Kushtetuese nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj.
Raporti ndalet edhe te mungesa e arsyetimit të plotë në vendimet gjyqësore. Në çështjen “Frroku”, GJEDNJ konstatoi shkelje të nenit 6 të Konventës, pasi Gjykata Kushtetuese nuk kishte dhënë arsyetim mbi themelin e çështjes, duke u kufizuar vetëm në rezultatin e votimit. Ndërsa në çështjen “Rarani”, Strasburgu vlerësoi se Gjykata e Lartë kishte tejkaluar kompetencat e saj, duke ndryshuar konstatimet faktike të gjykatave më të ulëta pa prova të reja dhe pa një arsyetim të mjaftueshëm.
Në raport evidentohen gjithashtu raste që lidhen me paanshmërinë e trupave gjykuese. Në çështjen “Kroi & Noçka”, tre gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, të cilët kishin shqyrtuar më parë të njëjtën çështje si anëtarë të Gjykatës së Lartë, nuk u tërhoqën nga gjykimi kushtetues. Vendimi u mor me vota të barabarta 3 me 3, në një trupë të paplotë për shkak të vakancave. Ndërkohë, në çështjen “Kastriot Ismailaj”, GJEDNJ konstatoi se një gjyqtar i Gjykatës së Lartë kishte shqyrtuar rekursin pavarësisht përfshirjes së mëparshme në të njëjtën çështje, ndërsa kërkuesit nuk i ishte garantuar mundësia për të kërkuar përjashtimin e tij.
Në përfundim, Avokatura e Shtetit u bën thirrje institucioneve të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese dhe Shkollën e Magjistraturës, të ndërmarrin masa të menjëhershme për përmirësimin e praktikave gjyqësore.
Mes rekomandimeve kryesore të raportit janë plotësimi i vakancave në gjykata, veçanërisht në nivel Apeli, rishikimi i mekanizmit të kompensimit për vonesat në gjykim, si dhe garantimi i mundësisë për rihapjen dhe rigjykimin e çështjeve në rastet kur GJEDNJ konstaton shkelje të standardeve të paanshmërisë dhe pavarësisë së gjykatave.



